Kurti: Lista preliminare e viktimave të luftës është bazë për drejtësi dhe kujtesë shtetërore

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin konsultativ të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ku u diskutua versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe plotësimet e nevojshme të saj.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës dhe ndërtimi i një evidence shtetërore të besueshme për viktimat është detyrim ndaj kujtesës, drejtësisë dhe dinjitetit të viktimave. Ai tha se krimet e kryera gjatë luftës duhet të dokumentohen, verifikohen dhe ruhen si pjesë e kujtesës institucionale të Kosovës.

Sipas tij, lista preliminare e viktimave është rezultat i një procesi mbi dyvjeçar të mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave duke nënvizuar se çdo emër në të përfaqëson një jetë të humbur dhe një pjesë të historisë së vendit.

Kurti rikujtoi se Qeveria e Kosovës themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë në nëntor të vitit 2023, me synimin për të sistemuar dhe institucionalizuar dokumentimin e krimeve të luftës.

Ai kërkoi që Serbia të përballet me krimet e kryera në Kosovë, të hapë arkivat dhe të bashkëpunojë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë duke theksuar se mohimi i krimeve dhe fshehja e të dhënave nuk i shërbejnë paqes, drejtësisë dhe normalizimit të marrëdhënieve.

Në përfundim, Kurti tha se Kosova do të vazhdojë të dokumentojë dhe të ruajë të vërtetën mbi bazën e fakteve, me synimin që kujtesa për viktimat të shërbejë si themel për drejtësi dhe për brezat e ardhshëm. /Kosova.info/


Go to TOP