Punimet në segmentin Kërpimeh-Bajgorë-Mitrovicë drejtë përfundimit

Punimet në segmentin Kërpimeh – Bajgorë – Mitrovicë të rrugës rajonale R129 janë drejt përfundimit, ndërsa projektin nga afër e ka vizituar ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.

Ky segment rrugor, me gjatësi 6.67 kilometra dhe vlerë investimi prej 4.17 milionë euro, pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen ndërmjet Mitrovicës dhe Podujevës, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset.

Sipas Ministrisë, kjo rrugë për vite me radhë ishte në gjendje të rënduar dhe me dëmtime të shumta, ndërsa tashmë është transformuar sipas standardeve moderne, duke përfshirë mure mbrojtëse, sinjalizim horizontal dhe vertikal, si dhe elemente që rrisin sigurinë rrugore.

Përfundimi i projektit pritet të shkurtojë kohën e udhëtimit, të përmirësojë ndërlidhjen rajonale dhe të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin ekonomik, turizmin dhe qarkullimin e mallrave.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për financimin e fazave të ardhshme, përfshirë rehabilitimin e tuneleve dhe përfundimin e segmentit të mbetur në hyrje të Mitrovicës, me synim kompletimin e të gjithë aksit sipas standardeve bashkëkohore.

Go to TOP