Pensionohet Ahmet ef. Sadriu, Myftiu Tërnava vlerëson kontributin e tij shumëvjeçar në BIK

Me një ceremoni solemne të organizuar në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame, është pensionuar sekretari i deritanishëm i Përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet ef. Sadriu, shkruan Kosova.info.

Në këtë ceremoni, ku morën pjesë bashkëpunëtorë, miq dhe familjarë, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart kontributin shumëvjeçar të Sadriut në shërbim të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ai rikujtoi angazhimin e tij ndër vite duke filluar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj, më pas në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë dhe në fund në Kryesinë e BIK-ut, fillimisht si drejtor për Botime dhe Media, e më pas si sekretar i Përgjithshëm. Myftiu Tërnava theksoi se Ahmet ef. Sadriu u dallua për përkushtimin, sinqeritetin dhe profesionalizmin e tij.

Nga ana e tij, Ahmet ef. Sadriu falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe punën e përbashkët ndër vite, ndërsa u bëri thirrje gjeneratave të reja që ta vazhdojnë këtë mision me përkushtim dhe devotshmëri.

Në përmbyllje të ceremonisë, Myftiu Tërnava i ndau Ahmet ef. Sadriut një mirënjohje në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në udhëheqjen, ngritjen dhe avancimin e administratës së këtij institucioni.

Go to TOP