Aktakuzë ndaj dy inspektorëve të ATK-së në Gjakovë, dyshohen se morën ryshfet nga bizneset
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj dy inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), me inicialet D.N. dhe E.Q., nën dyshimin për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë, në dy raste të ndryshme gjatë vitit 2022 në Gjakovë, në bashkëveprim kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë biznesesh, me qëllim që të mos vepronin në përputhje me detyrat e tyre zyrtare.
Prokuroria bën të ditur se në secilin rast ata kanë kërkuar dhe pranuar nga 300 euro.
Me këto veprime, D.N. dhe E.Q. akuzohen se, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe, përveç dënimit sipas ligjit, t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. /Kosova.info/
