KEK nis reforma të thella për mbrojtjen e pronave, u bën thirrje uzurpuesve t’i lirojnë vullnetarisht
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se ka përfunduar me sukses unifikimin e evidencave të pronave të saj dhe ka nisur një proces të gjerë reformash, i fokusuar në identifikimin, mbrojtjen dhe konsolidimin e pronave të Korporatës, si dhe në trajtimin e rasteve të uzurpimit.
Sipas njoftimit, përveç pronave në komunat e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ku zhvillohen aktivitetet operative të KEK-ut, janë identifikuar prona të Korporatës edhe në komuna të tjera të Kosovës, përfshirë Podujevën dhe Brezovicën.
Në kuadër të këtij procesi, KEK ka intensifikuar bashkëpunimin me komunat dhe institucionet kompetente për identifikimin e rasteve të uzurpimit, mbrojtjen e pronës publike dhe rikthimin e pronave në administrim të rregullt institucional.
Njëkohësisht, Korporata u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve që eventualisht shfrytëzojnë prona të KEK-ut pa bazë ligjore, t’i lirojnë ato në mënyrë vullnetare sa më parë.
KEK thekson se ky proces po zhvillohet paralelisht me programin më të madh investiv në historinë e saj, i cili përfshin modernizimin e njësive gjeneruese pas më shumë se katër dekadash dhe zhvillimin e projekteve në fushën e energjisë së ripërtëritshme, me synim reformimin e Korporatës, mbrojtjen e aseteve publike dhe forcimin e menaxhimit institucional. /Kosova.info/
