Rama: Prishtina më 2 korrik nikoqire e ngjarjes qendrore për 250-vjetorin e SHBA-së
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kryeqyteti do të mirëpresë më 2 korrik ngjarjen qendrore “America and Kosovo: A Freedom Story for the Next 250 Years”, e organizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Para këtij organizimi, Rama priti në Prishtinë një delegacion nga Washington D.C., i cili po qëndron në Kosovë në kuadër të projektit “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”. Në takim morën pjesë personalitete amerikane dhe shqiptaro-amerikane që kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së.
Sipas Ramës, diskutimet u përqendruan në rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve, zhvillimin e demokracisë dhe mundësitë për bashkëpunime të reja në fusha me interes të përbashkët.
Ai theksoi se aktiviteti i 2 korrikut do të jetë një mundësi për të riafirmuar miqësinë e ngushtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për të promovuar vizionin e përbashkët për të ardhmen.
