O tani, o kurrë: VLEN përballë provës vendimtare!

Shkruan: Astrit Gashi

Kjo javë tropikale mund të jetë një nga më vendimtaret në historinë e VLEN-it.

Pas dy betejave politike që i fitoi në opinionin publik, ku protestat e opozitës prodhuan më shumë efekt bumerang sesa presion real, tani VLEN ndodhet përballë një sfide edhe më të rëndësishme të konsolidimit të rolit të tij në qeveri.

Nëse gjatë kësaj jave koalicioni arrin të marrë përgjegjësinë për dy dikasteret më të ndjeshme Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, të drejtuara më parë nga eksponentë që kanë prodhuar vazhdimisht polemika Grubi – Stoilkovic atëherë nuk do të jetë vetëm një fitore politike, por edhe një përgjegjësi historike.

Këto dy institucione duhet të shndërrohen nga simbole të konfliktit politik në institucione të besimit qytetar.

Konventa e 24-mujorit të VLEN-it nuk ishte thjesht një prezentim i projekteve. Ajo ishte një pasqyrë ku u reflektuan njëkohësisht shpresa, entuziazmi, por edhe pakënaqësia dhe pritshmëritë e një elektorati që nuk kërkon më premtime. Ai kërkon punë, rezultate dhe meritokraci.

Sot, VLEN ndodhet përballë provës më të madhe që nga themelimi i tij. Nuk mjafton më të fitohen zgjedhjet por duhet të fitohet besimi afatgjatë i qytetarëve.

Kjo nuk arrihet me improvizime, por me institucione të forta politike dhe me struktura funksionale në çdo lagje, fshat e komunë.

Ka ardhur koha e organizimit të vërtetë. Çdo degë duhet të ketë përgjegjësi të qarta, çdo aktivist duhet ta ndiejë se kontributi i tij vlerësohet, ndërsa vendimmarrja duhet të ndërtohet nga poshtë-lart.

Një projekt politik nuk mund të mbështetet pafundësisht mbi karizmën e liderëve; ai duhet të ndërtojë institucione që janë më të forta se individët.

Sëmundja që ka rrënuar pothuajse çdo projekt politik shqiptar ka qenë zëvendësimi i meritës me servilizmin. Pikërisht këtu VLEN duhet të tregojë se është ndryshe.

Ata që mbajtën barrën e ndryshimit në terren nuk mund të zëvendësohen nga oportunistët që shfaqen vetëm pasi beteja është fituar. Nëse sakrifica nuk shpërblehet, ndërsa servilizmi promovohet, atëherë fillon degradimi i çdo projekti politik.

Prandaj, kjo javë nuk duhet të jetë vetëm javë e emërimeve, por javë e vendosjes së standardeve. Çdo emërim duhet të kalojë përmes filtrit të profesionalizmit, integritetit dhe meritës. Vetëm kështu qytetarët do ta ndiejnë se ndryshimi nuk ka qenë thjesht ndërrim pushteti, por ndryshim kulture politike.

Konventa tregoi edhe një avantazh të rëndësishëm. VLEN nuk është pronë e një individi, e një familjeje apo e një grupi financiar. Ky pluralizëm i brendshëm e bën projektin më rezistent ndaj shantazheve dhe interesave personale.

Askush nuk mund ta marrë peng një organizatë që mbështetet mbi një bazë të gjerë qytetare dhe mbi partneritet politik. Megjithatë pati defekte dhe organizatoret nuk duhet te kalojne pa marr masa ndal tyre.

Në këtë moment historik, përgjegjësia bie mbi liderët e koalicionit. Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Bekim Sali duhet të vazhdojnë ta vendosin projektin mbi interesat personale. Çdo lider bën gabime gjatë rrugëtimit politik, por lidershipi matet me aftësinë për t’i korrigjuar ato dhe për ta mbrojtur kauzën edhe kur kjo kërkon sakrificë. Personalisht e kam kritikuar nje lider pse po e ndane pergjegjsine e fituar me vote! Por ai ka menduar se projekti është me I madh se individi.

Njëkohësisht, të gjithë duhet të dëshmojnë se asnjë individ nuk është më i madh se projekti dhe se askush nuk mund ta shantazhojë shtëpinë e vet politike për interesa personale apo lokale.

Forca e VLEN-it duhet të mbetet uniteti, reforma dhe meritokracia. Askush me nje grushte votash mos guxoje te shantazhoj se do digjet vete ne keto temperatura extreme.

Tani është koha e strukturimit të anëtarësisë, e ndërtimit të mekanizmave funksionalë, e koordinimit të partnerëve dhe e vendosjes së kritereve të matshme për çdo përgjegjësi politike e institucionale.

Sepse meritokracia nuk është vetëm drejtësi për individin; ajo është garancia më e madhe që VLEN të mos mbetet një fitues i zgjedhjeve, por të shndërrohet në një projekt politik që ndërton institucione, fiton besimin e qytetarëve dhe lë gjurmë në historinë politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Go to TOP