Don Lush Gjergji – Rilindasi i fundit
Shkruan: Ismet HAJRULLAHU
Figura e Don Lush Gjergjit është figura e një personaliteti shumedimensional, që me angazhimin e tij jetësor si prift, mendimtar, shkrimtar dhe kontribuues në pajtimin e gjaqeve, e vendos atë në vazhdën e rilindësve që mbajtën gjallë kulturën, fenë dhe, mbi të gjitha, kombin.
Don Lush Gjergji lindi më 21 mars 1949 në Stubëll të Epërme, në Viti, në një kohë kur Kosova përjetonte sfida të mëdha shoqërore e politike. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, më pas në Viti e Zhegër, ndërsa gjimnazin klasik e vazhdoi në Dubrovnik. Pas mbarimit të gjimnazit, ai nisi studimet e filozofisë në Split, ku kreu vitin e parë, por formimin e plotë e mori në Romë, në Universitetin Papnor Urbaniana, ku përfundoi studimet e filozofisë dhe u diplomua në teologji. Në vitin 1975 mbrojti doktoratën në psikologji në Universitetin “La Sapienza”, me temën La donna albanese, e cila më vonë u botua në shqip me titullin Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri. Ky studim ishte një zë kritik që guxoi ta analizonte shoqërinë shqiptare përmes rolit të gruas.
Pas kthimit në Kosovë, shërbeu si famullitar në Ferizaj për gati dy dekada, më pas në Binçë dhe në Prizren. Në këto famulli, ai u bë pjesë e jetës së përditshme të njerëzve, duke i dëgjuar, këshilluar dhe duke u qëndruar pranë në kohë të vështira. Përmes drejtimit të Radio Marisë së Kosovës, ai e përdori median për të përhapur mesazhin e fesë dhe të kulturës, duke u bërë një zë i fuqishëm dhe i rëndësishëm në jetën publike.
Në fillim të viteve ’90, kur Kosova përjetonte represion të rëndë, Don Lush Gjergji u angazhua edhe në lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, së bashku me Anton Çetën dhe shumë intelektualë të tjerë. Prania e tij në tubimet e pajtimit i jepte faljes një dimension të shenjtë, duke e lidhur atë me besimin dhe me të ardhmen e kombit. Ky kontribut e vendos atë si një ndër figurat kyçe të pajtimit, duke e bërë pjesë të trashëgimisë së madhe që shënoi një nga momentet më të ndritura të historisë sonë moderne.
Ai shquhet edhe në fushën e letrave, ku numëron mbi tridhjetë libra, shumë prej të cilëve janë përkthyer në gjuhë të huaja. Veprat e tij trajtojnë tema nga më të ndryshmet, por veçanërisht jetën dhe veprën e Nënës Tereze. Librat si Nëna jonë Tereze, Dashuria në vepër: Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë – Nëna Tereze apo Virgjëra Mari në histori dhe në përshpirtëri janë reflektime mbi figurat që ai i ka përjetuar si simbole të dashurisë dhe të shërbimit. Përmes tyre, ai ka ndihmuar që mesazhi i Nënës Tereze të përhapet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, duke e vendosur atë si një figurë universale dhe pjesë të identitetit shqiptar.
Don Lush Gjergji ka qenë gjithashtu redaktor dhe kryeredaktor i revistës DRITA dhe i shtëpisë botuese me të njëjtin emër, duke ndikuar në formimin kulturor dhe shpirtëror të brezave të rinj. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Gazetarëve dhe Publicistëve Katolikë të Evropës dhe i Akademisë Evropiane, duke e vendosur veten në një rrjet më të gjerë kulturor e akademik.
Respekti që gëzon në çdo cep të Kosovës është rezultat i një jete të përkushtuar si prift, mendimtar, shkrimtar dhe udhëheqës shpirtëror. Pikërisht për këtë arsye, ai mund të quhet “Rilindasi i fundit”, sepse është nga të vetmit që mban ende frymën e rilindjes, përkushtimin ndaj kulturës, fesë dhe kombit, me një vizion që e sheh njeriun si qendër të gjithçkaje. Don Lush Gjergji nuk i përket vetëm Kishës Katolike, por mbarë kulturës shqiptare. Për këtë arsye, emërtimi “Rilindasi i fundit” është një përjetim i një figure që ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe përmes kontributit të tij në pajtimin e gjaqeve, në një periudhë kur shteti gjakatar serb nxiste vëllavrasje ndër shqiptarë.
