AGK dënon pengimin dhe sulmin ndaj ekipit të TV Dukagjinit në Gjilan

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër pengimin dhe sulmin fizik ndaj ekipit të TV Dukagjinit gjatë raportimit në Gjilan.

Sipas AGK-së, gazetarja Blerta Zuka dhe kameramani Enkelej Shaljani janë sulmuar sot derisa po realizonin një kronikë për punimet në sheshin e qytetit. Një punonjës i kompanisë së angazhuar në punime, raportohet se ka shtyrë fizikisht ekipin dhe ka pamundësuar vazhdimin e punës së tyre.

AGK e ka cilësuar rastin si pengim me forcë të ushtrimit të detyrës profesionale dhe sulm ndaj lirisë së medias duke kërkuar reagim të institucioneve.

Në reagim, AGK u ka bërë thirrje Komunës së Gjilanit që të distancohet nga incidenti, si dhe organeve të rendit dhe drejtësisë që të veprojnë shpejt për identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësit. /Kosova.info/


Go to TOP