AIP shënon 5-vjetorin, Haxhiu: Qytetari i mbrojtur, themel i demokracisë
Në Prishtinë u mbajt ceremonia e 5-vjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, respektivisht 15-vjetorit të themelimit të autoritetit për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi se me zhvillimin e inteligjencës artificiale roli i agjencisë bëhet edhe më i rëndësishëm.
“Le të jetë kjo një shtysë për më shumë transparencë publike, me më shumë kujdes gjatë përdorimit të të dhënave personale. Qytetari i informuar dhe i mbrojtur janë themel i një republike demokratike”, theksoi Haxhiu.
Komisionarja Krenare Sogojeva Dërmaku tha se ndër vite ky institucion ka ndërtuar mekanizma për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale.
“Garantimi i zbatimit të ligjit për qasje në dokumente publike u sigurua përmes trajtimit të më shumë se tre mijë ankesave të pranuara nga qytetarët, gazetarët dhe shoqëria civile, 80 për qind e të cilave rezultuan në realizimin e së drejtës për informacion. Agjencia realizoi mbi një mijë inspektime në sektorin publik dhe privat dhe nxori mijëra vendime e urdhëresa”, ka thënë ajo.

