Bajrami: LDK-ja ka nevojë për reflektim dhe zgjedhje të brendshme, përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka ritheksuar qëndrimin e saj se partia duhet t’i nënshtrohet një procesi reflektimi dhe zgjedhjeve të brendshme pas rezultatit të fundit zgjedhor, shkruan Kosova.info.

Përmes një reagimi publik, Bajrami ka kujtuar se edhe në janar kishte kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë dhe kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares duke argumentuar se standardet e përgjegjësisë politike duhet të vlejnë për të gjithë pa dallim.

“Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim”, ka theksuar ajo.

Sipas Bajramit, në Kuvendin e LDK-së të mbajtur pas zgjedhjeve të janarit, rreth 45 për qind e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së kryetarit, gjë që sipas saj dëshmoi nevojën për reflektim të thellë dhe ndryshime brenda partisë. Megjithatë, ajo thekson se kryetari vendosi të vazhdojë mandatin, madje me kompetenca të zgjeruara.

Duke iu referuar rezultatit të fundit zgjedhor, ku LDK-ja u rendit sërish e treta, Bajrami vlerëson se problemet e identifikuara më herët nuk janë adresuar.

“LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve”, ka deklaruar ajo duke shtuar se partia është shumë më e madhe se secili individ brenda saj.

Deklarata e Bajramit vjen në kohën kur brenda LDK-së janë shtuar zërat që kërkojnë analizë të rezultatit zgjedhor dhe përgjegjësi politike nga strukturat drejtuese të partisë.

Go to TOP