AKB: Kosova nuk duhet t’i thotë jo SHBA-ve, partneriteti energjetik me Amerikën është interes kombëtar

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë thirrje që Kosova të mos humbasë mundësinë historike për thellimin e partneritetit energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se projektet strategjike amerikane në sektorin e energjisë duhet të trajtohen me përgjegjësi shtetërore dhe vizion afatgjatë.

Përmes një reagimi publik, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se SHBA-të kanë qenë çlirimtaret e Kosovës, mbështetëset kryesore të shtetndërtimit dhe aleatet më të rëndësishme në rrugën e integrimit ndërkombëtar të vendit.

Sipas tij, investimet që mundësojnë qasje në gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-të përbëjnë një mundësi të rëndësishme për forcimin e sigurisë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë.

“Kosova nuk duhet të pozicionohet kundër projekteve strategjike amerikane, por të bashkëpunojë ngushtë me aleatin e saj më të madh për të siguruar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, siguri energjetike dhe mirëqenie për qytetarët”, ka deklaruar Shahini.

AKB vlerëson se përfitimet nga ky partneritet do të përfshinin uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, rritjen e stabilitetit energjetik për qytetarët dhe bizneset, mbështetjen e tranzicionit energjetik, përgatitjen e industrisë për standardet evropiane të emetimeve të karbonit, si dhe tërheqjen e investimeve të reja amerikane dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Aleanca u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që vendimmarrja për projektet strategjike energjetike të mos udhëhiqet nga kalkulime politike afatshkurtra, por nga interesat afatgjata shtetërore, ekonomike dhe kombëtare.

“Miqësia me Amerikën nuk është vetëm pjesë e historisë sonë të lavdishme. Ajo mbetet garancia më e fuqishme për të ardhmen, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës. Prandaj, projektet që forcojnë partneritetin ekonomik, energjetik dhe strategjik me SHBA-të duhet të konsiderohen interes kombëtar i Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Shahini.

Go to TOP