Në shkollën “Ali Hadri”, nxënësit mësojnë për të drejtat e tyre përmes lojës

Mësimi përmes aktiviteteve praktike po dëshmohet si një metodë më efektive dhe më argëtuese për nxënësit sesa mësimi tradicional. Në shkollën fillore “Ali Hadri” në Katunishtë të Podujevës, nxënësit mësuan për të drejtat e fëmijëve përmes lojërave dhe aktiviteteve interaktive. Mësimdhënësit vlerësojnë se kjo qasje ndihmon në kuptimin më të lehtë të njësive mësimore dhe në pjesëmarrjen aktive të secilit nxënës.

Mësimi përmes aktiviteteve rezulton të jetë shumë më i suksesshëm sesa ai përmes leximit, e kjo metodë e mësimnxënies po praktikohet shpesh në shkollën fillore “Ali Hadri” në Katunishtë të Podujevës.

Mësuesja Blertona Bytyqi e cila është edhe bashkautore e disa librave shkollor, ka përzgjedhur njësinë mësimore “Të drejtat e fëmijëve” që ta mësojnë përmes aktiviteteve argëtuese.

“Fëmijët i mëspojn ato përmes planprogramiti i cili është i hartuar dhe kjo ka për qëllim që ata të shprehen lirshëm”, tha ajo.

Në klasë janë gjithsej 10 nxënës, ku mësimi i të drejtave të tyre përmes lojës me balona ishte shumë më argëtues dhe e kuptuan më lehtë.

Kombinimi i të mësuarit teori-praktikë dhe aktivitete është i paraparë edhe me planprogramin mësimor në Kosovë, e kjo bëhet edhe më e lehtë kur brenda klasës ka më pak nxënës, për shkak se në aktivitet përfshihet secili.

Go to TOP