Haziri: Parku i Gjilanit po masakrohet, Prokuroria të hetojë qeverisjen komunale
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka akuzuar qeverisjen aktuale në Gjilan për keqmenaxhim të projekteve zhvillimore dhe dëmtim të hapësirave publike duke kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit.
Përmes një reagimi publik, Haziri tha se Bulevardi “Ibrahim Rugova”, së bashku me gjelbërimin e tij, është “masakruar” pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor, ndërsa theksoi se qyteti prej pesë vitesh vazhdon të mbetet pa mundësi zonimi.
“Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë. Komuna, nga kunatat e balldëskat, po trajtohet si çiflig”, deklaroi ai.
Haziri kritikoi gjithashtu mosrealizimin e disa projekteve infrastrukturore duke përmendur mosvazhdimin e autostradës, mosfinalizimin e stadiumit të qytetit, si dhe mungesën e punimeve në rrugët e Prishtinës, Kllokotit dhe Kumanovës.
Sipas tij, nuk po punohet as në kolektorë dhe impiantin e ujërave, ndërsa po dëmtohet Parku i Gjilanit.
Ish-kryetari i Gjilanit tha se projektet e iniciuara gjatë mandatit të tij, të cilat i quajti “Projektet e Lutës”, kanë siguruar 178 milionë euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare, por sipas tij, mungesa e dijes dhe vullnetit për zbatimin e tyre po i mban ato të bllokuara.
“Po e privon Gjilanin nga zhvillimi që meriton. Nuk kalon! Lavdi marrëzisë! Gjilani i qytetarëve”, përfundoi Haziri në reagimin e tij. /Kosaova.info/
