Salih Murat: Heshtja ndaj Ligjit për Përfaqësim të Drejtë është tradhti ndaj popullit

Deputeti turk në Maqedoninë e Veriut, Salih Murat, ka reaguar ashpër ndaj projektligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat duke akuzuar qeverinë VMRO-VLEN se po tenton ta imponojë atë në kundërshtim me Kushtetutën, Marrëveshjen e Ohrit dhe realitetin e vendit, njofton Kosova.info.

Në një postim publik, Murat tha se qeveria po përpiqet ta pranojë ligjin me një qasje imponuese dhe partiake duke e konsideruar atë në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Ai gjithashtu kritikoi ashpër përfaqësuesit turq që, sipas tij, po heshtin përballë këtij procesi.

“Dijeni se partnerët turq kukulla dhe të nënshtruar, institucionet dhe individët që po heshtin gjatë këtij procesi, herët a vonë do t’i japin llogari popullit tonë”, ka shkruar Murat.

Deklarata e deputetit turk vjen në një periudhë debatesh politike në Maqedoninë e Veriut lidhur me ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili ka nxitur reagime të ndryshme në skenën politike dhe në mesin e komuniteteve etnike në vend.

Go to TOP