Maqedonci: Ilir Konushevci ishte ndër themeltarët e UÇK-së

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë homazhe pranë bustit të Heroit të Kombit, Ilir Konushevci, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, në përvjetorin e lindjes së tij.

Maqedonci tha se me vendosjen e luleve u nderua jeta, vepra dhe sakrifica e njërit prej heronjve më të shquar të Kosovës, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për liri.

Sipas tij, Ilir Konushevci ishte ndër themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një nga figurat kyçe në organizimin e luftës çlirimtare duke u dalluar për përkushtimin, guximin dhe atdhedashurinë e tij.

“Vepra e tij mbetet frymëzim për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë duke dëshmuar se liria është vlerë që fitohet dhe mbrohet me sakrificë”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai shprehu mirënjohje dhe respekt të thellë për veprën e Heroit të Kombit duke theksuar se kujtimi për të mbetet i përjetshëm.

“Heronjtë nuk vdesin kurrë. Ata kanë vetëm ditëlindje. Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Ilir Konushevci”, u shpreh ministri i Mbrojtjes. /Kosova.info/

Go to TOP