Hoti thërret për protestë: Ta mbrojmë projektin e gazit amerikan dhe aleancën me SHBA-në
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane duke e cilësuar refuzimin e këtij projekti nga Qeveria e Kosovës si një veprim me pasoja ekonomike dhe gjeopolitike për vendin.
Sipas Hotit, Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë këtij projekti rajonal, pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të administratës amerikane që vendi të bëhet pjesë e tij.
Ai ka rikujtuar se projekti buron nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020 duke theksuar se në atë kohë ishte kundërshtuar veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Refuzimi i këtij projekti nga Qeveria e Kosovës po vazhdon pavarësisht insistimit të fuqishëm të Administratës Amerikane, të shprehur nga zyrtarë të lartë amerikanë në Kosovë dhe në Uashington gjatë javëve të fundit”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka kundërshtuar arsyetimet e ekzekutivit për mosmbështetjen e projektit duke i cilësuar ato si të pabaza nga aspekti ekonomik. Sipas tij, projekti i gazit është plotësisht komplementar me strategjinë energjetike të Kosovës dhe do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike.
Hoti ka vlerësuar se mungesa e këtij projekti ka sjellë kosto të larta për qytetarët dhe bizneset. Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë shpenzuar 735 milionë euro për import të energjisë elektrike, ndërsa vendi rrezikon të përballet edhe me tarifa shtesë për emetimin e karbonit për shkak të varësisë nga qymyri.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë gjeopolitike të projektit duke thënë se qëllimi i tij është zvogëlimi i ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor dhe forcimi i aleancës euro-atlantike.
“Në këto rrethana, refuzimi i këtij projekti mund të jetë i motivuar vetëm nga orientimi antiamerikan”, ka deklaruar Hoti.
Në fund, ai u ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të bashkohen në një protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe të aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Kosova.info/
