Shahini uron Mustafën për themelimin e Fondacionit “Sami Ambrella”: Nga suksesi në biznes te misioni humanitar
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka uruar biznesmenin e njohur Sami Mustafa për themelimin e Fondacionit “Sami Ambrella” duke e cilësuar këtë nismë si një shembull të shkëlqyer të bashkimit të suksesit në biznes me humanizmin dhe përgjegjësinë shoqërore.
Shahini tha se fondacioni i ri buron nga vlerat familjare, solidariteti dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Sami Mustafës ndaj njerëzve në nevojë duke shtuar se ai do të shërbejë si një urë shprese dhe mbështetjeje për familje, të rinj, studentë dhe sportistë.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Aleancës Kosovare të Bizneseve, e përgëzoj përzemërsisht për këtë hap të rëndësishëm. Sami Mustafa ka dëshmuar ndër vite se suksesi merr kuptimin e tij më të plotë kur ndahet me të tjerët. Fondacioni ‘Sami Ambrella’ është vazhdimësi e këtij misioni human dhe një shembull se si biznesi dhe solidariteti mund të bashkohen në shërbim të shoqërisë”, theksoi Shahini.
Ai vlerësoi gjithashtu suksesin e kompanisë Ambrella nga Kumanova, e cila është shndërruar në një nga historitë më të suksesshme të sipërmarrjes shqiptare në rajon. Sipas tij, kompania e specializuar në prodhimin e roletave dhe sistemeve të aluminit ka arritur të depërtojë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare, ku rreth 90 për qind e prodhimit eksportohet në vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në Zvicër.
“Ky sukses është dëshmi e vizionit, profesionalizmit dhe përkushtimit të Sami Mustafës dhe ekipit të tij duke e bërë Ambrellën një ambasadore të denjë të sipërmarrjes shqiptare në Evropë”, u shpreh ai.
Shahini shtoi se me themelimin e fondacionit, Sami Mustafa jo vetëm që po lartëson emrin e tij, por po nderon edhe familjen, komunitetin e biznesit dhe mbarë shoqërinë duke dëshmuar se vlerat njerëzore mbeten pasuria më e madhe që mund të lërë një individ.
“Jemi me fat që e kemi mik, bashkëpunëtor dhe shembull të përgjegjësisë shoqërore. Veprimtaria e tij humanitare është frymëzim për bizneset dhe qytetarët që të kontribuojnë për një shoqëri më të drejtë, më humane dhe më solidare”, deklaroi kryetari i AKB-së.
Në fund, Shahini i uroi suksese Fondacionit “Sami Ambrella” duke shprehur bindjen se ai do të lërë gjurmë të rëndësishme në jetën e shumë njerëzve dhe do të sjellë shpresë e mundësi aty ku nevojiten më së shumti. /Kosova.info/
