Shqipëria mes kujtesës dhe harresës…

Shkruan: Ismet HAJRULLAHU

Protesta si e drejtë, por jo si zëvendësim i zgjedhjeve

Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, nuk është më nën rrezikun e pushtimeve të huaja, por nën rrezikun e harresës së vetvetes. Historia jonë është e mbushur me armiq të jashtëm, me luftëra dhe sakrifica, por sot, sfida jonë e madhe e brendshme është si ta kuptojmë pushtetin dhe demokracinë.

Ata që sot qeverisin kanë ardhur përmes zgjedhjeve demokratike, me votën e popullit si burim legjitimiteti që është themeli i sistemit modern. Por sheshet e mbushura me protesta tregojnë një tjetër realitet: grupe që duan pushtet pa zgjedhje, duke e sfiduar rendin demokratik dhe duke e zëvendësuar kutinë e votimit me presionin e rrugës.

Shqipëria e “shkretë” e ka provuar më parë, se kur pushteti merret pa votë, pasojat janë të rënda: dhunë, përçarje, destabilitet. Harresa e historisë është rreziku më i madh i yni. Kur populli harron se demokracia është e fituar me mund, rruga e forcës duket si zgjidhje. Por ajo rrugë nuk hap rrugë, nuk ndërton institucione, por i shemb ato; nuk sjell stabilitet, por e kthen vendin në një cikël të pafund krizash.

“Ku i çon mushka?” Kjo pyetje metaforike është sot pyetja kryesore për klasën politike. Nëse mushka ndjek rrugën e harresës, vendi shkon drejt përplasjes; nëse ndjek rrugën e kujtesës, Shqipëria ecën drejt stabilitetit dhe dinjitetit.

Normalisht, protestat janë pjesë e zhvillimit demokratik të një shoqërie, por ndërrimi i pushteteve merret nëpërmjet zgjedhjeve të lira e demokratike. Kur pushteti merret jashtë kutisë së votimit, demokracia rrënohet me themel. Dhe ky rrënim i demokracisë nuk është vetëm një krizë politike, por një kthim pas në një histori të hidhur, që shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë dhe nuk mund ta përballojnë përsëri.

Go to TOP