Ku po i çon mushka drutë?!

Shkruan: Ismet HAJRULLAHU

Sot, po jetojmë në një botë të çudirave!

Fatkeqësisht, masakrat dhe gjenocidi serb në Kosovë po harrohen me një shpejtësi të frikshme…

Harresa, e cila po na karakterizon si shoqëri, është një dobësi morale, e mbi të gjitha një rrezik politik, ekonomik dhe kulturor. Serbia, para syve tanë, vazhdon të instrumentalizojë veriun me struktura paralele e propagandë, duke e minuar shtetësinë e Kosovës… Ngjarjet dhe situatat kaotike që janë krijuar edhe kohëve të fundit në veri tregojnë qartazi se Serbia vazhdon me të njëjtën politikë dhe nuk ka hequr dorë nga hegjemonizmi ndaj Kosovës. Krimet serbe të së kaluarës në Kosovë nuk janë një histori e mbyllur, por plagë të hapura…

Prodhimet serbe pothuajse sundojnë tregun tonë.

Importet pa kontroll kanë hapur rrugë për një “pushtim” ekonomik, po aq të rrezikshëm sa pushtimi ushtarak.

Në vend që të mbështesim dhe promovojmë prodhimin vendas, ne ushqejmë varësinë nga një shtet terrorist që nuk ka kërkuar kurrë falje për krimet e kryera.

Kjo varësi, fatkeqësisht, është një zinxhir politik që na mban të lidhur kokë e këmbë.

Brezat e rinj po rriten pa një ndjesi për krimet e luftës. Vetë politikat e krijuara për kategoritë e luftës janë fyese dhe dëshpëruese për vetë shoqërinë tonë. Instalimi i propagandës dhe lajmeve të rrejshme ndaj elementeve që kanë qenë pjesë aktive e luftës ka bërë që shoqëria jonë të kontaminohet dhe të vjellë vrer ndaj tyre… Serbia ka përdorur dhe vazhdon të përdorë propagandën si mjet për të shpëlarë edhe atë pak tru që u ka mbetur shqiptarëve, duke rekrutuar dhe instaluar njerëz në shërbim të saj. Rastet e fundit të spiunazhit tregojnë qartë se Serbia nuk ka hequr dorë…

Po politika ditore çfarë po “gatuan” në këtë rast?

Një kundërshti ndaj investimeve strategjike amerikane, që përkthehen në siguri, prosperitet, zhvillim për Kosovën tonë…

Ku po i çon mushka drutë e këtyre politikanëve që duan të instalojnë një monizëm klasik?

A nuk po e përkthejnë në refuzim mospjesëmarrjen masive të njerëzve në procesin e votimit?

Cilat janë arritjet e dukshme në të gjitha fushat, përveçse ajo e shitblerjes së energjisë dhe shtrenjtimit të saj?

Sa shpejt e harruam shtypjen, terrorin, vrasjet, masakrat, dëbimin…

E çfarë barre duhet të mbajmë më shumë ne si popull?

Haga është kulmi i kulmit të përçmimit që po na bëhet neve si popull…

Pa politikë të kujtesës, rrezikohet relativizimi i gjenocidit, rrezikohet vetë qenia jonë si shqiptarë.

Shkollat e universitetet heshtin për historinë tonë më të re, për sakrificën sublime të bijve dhe bijave më të mirë të popullit…

Ndërsa bota ka plot shembuj: amerikanët bojkotuan prodhimet franceze, koreane‑jugorët ende sot refuzojnë japonezët, Izraeli nuk harron krimet gjermane.

Kosova, përkundrazi, po e lë kujtesën të zbehet, duke e kthyer harresën në një moto të vetë politikave ditore…

Në këtë lojë, mediat kanë një rol vendimtar!

Shpesh ato relativizojnë të kaluarën, duke e barazuar viktimën me agresorin, e madje promovojnë kulturën dhe ekonominë serbe më shumë se historinë tonë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në zbehjen e kujtesës dhe e bën shoqërinë të prekshme ndaj manipulimeve.

Në arenën ndërkombëtare, mungesa e një zëri të fuqishëm e të fortë për gjenocidin serb e ka dobësuar Kosovën.

Diplomacia pothuajse hesht para fakteve dhe është kthyer në një makineri të mbledhjeve të votave për partinë në pushtet…

Në vend që të kërkojmë drejtësi, shpesh mbrohemi nga akuzat e padrejta ndaj UÇK‑së.

Pa një diplomaci aktive që mbron realitetin, Kosova humb besueshmërinë dhe rrezikon të izolohet e të zbrazet nga truri dhe jo vetëm…

Institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të mbrojnë kujtesën historike, të forcojnë prodhimin vendas, të ndalojnë varësinë nga Serbia dhe të ndërtojnë një kulturë rezistence. Vetëm kujtesa e kthyer në politikë aktive mund ta mbrojë identitetin dhe të sigurojë të ardhmen. Mjaft më me slogane boshe e me premtime që kurrë nuk u realizuan. Çdo rezistencë dhe papjekuri në raport me miqtë tanë të dëshmuar në kohërat më të vështira që kemi kaluar dhe po kalojmë do na dërgojë në një vetëizolim dhe donkishotizëm që do e kthejë Kosovën në pikën zero!

Go to TOP