Arben Gashi kërkon reformim të LDK-së: Me 16 për qind nuk është partia që i duhet Kosovës

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit duke theksuar se rikthimi i tij në Kuvend është konfirmim i mbështetjes për vizionin dhe angazhimin e tij politik ndër vite.

Në një mesazh drejtuar votuesve, Gashi u shpreh mirënjohës ndaj qytetarëve që zgjodhën LDK-në si “shtëpinë e tyre politike” duke premtuar se do të vazhdojë të punojë për një Kosovë të qeverisur me ndershmëri, profesionalizëm dhe në shërbim të qytetarëve.

Megjithatë, ai vlerësoi se rezultati i fundit zgjedhor duhet të shërbejë si moment reflektimi për partinë duke theksuar se LDK-ja nuk duhet të pajtohet me pozitën e tretë në skenën politike.

“Një LDK me 16 për qind nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës”, deklaroi Gashi.

Ai kërkoi hapjen e një procesi të ri zgjedhor brenda partisë, të cilin e përshkroi si demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës, me qëllim rikthimin e besimit dhe forcimin e strukturave të LDK-së.

Sipas tij, partia duhet të kthehet te vlerat autentike, demokracia e brendshme, mendimi i lirë dhe profesionalizmi, në mënyrë që të shndërrohet sërish në një forcë fituese politike.

Gashi theksoi se, krahas nevojës për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, LDK-ja ka obligim të merret me reformimin e vetvetes.

“Është koha që LDK-ja të hapë një proces të ri zgjedhor të brendshëm. Një proces që bashkon, jo që përjashton. Që prodhon besim, jo ndarje”, tha ai.

Në fund, deputeti i LDK-së bëri thirrje për unitet dhe përgjegjësi duke theksuar se vetëm një LDK e fortë dhe fituese mund të kontribuojë në ndërtimin e një Kosove më të zhvilluar, më të drejtë dhe më evropiane. /Kosova.info/

Go to TOP