Muharremi dhe Reçica pas aksidentit fatal në Autostradën “Ibrahim Rugova”: Shteti të mbajë përgjegjësi për neglizhencën në mirëmbajtjen e rrugëve

Pas aksidentit fatal të ndodhur në Autostradën “Ibrahim Rugova”, analisti Shenoll Muharremi dhe gazetari Enis Reçica kanë reaguar ashpër duke kërkuar përgjegjësi institucionale për gjendjen e rrugëve dhe mungesën e mirëmbajtjes së tyre.

Muharremi ka ngritur shqetësimin për sigurinë në autostradë duke akuzuar institucionet për neglizhencë të vazhdueshme.

“Edhe sa njerëz të pafajshëm duhet me vdek nëpër rrugë të pamirëmbajtura derisa kjo qeveri e paaftë t’i pastrojë e mirëmbajë rrugët si duhet? Sot nuk është hera e parë që ndodhin aksidente me fatalitet në Autostradën Ibrahim Rugova”, ka shkruar ai.

Sipas tij, institucionet që kanë për detyrë mirëmbajtjen e rrugëve duhet të mbajnë përgjegjësi për pasojat që shkaktohen nga mosveprimi.

“Kjo sot nuk është hera e parë që nga mospuna dhe moskujdesi institucional vdesin njerëzit e pafajshëm në ato pjesë të autorrugës”, ka shtuar Muharremi duke u shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të viktimës.

Ndërkaq, gazetari Enis Reçica ka kërkuar që shteti të ndiqet penalisht për mosrregullimin dhe mosmirëmbajtjen e rrugëve duke theksuar se përgjegjësia duhet të jetë konkrete për secilin zyrtar kompetent.

“Të mbahet përgjegjës ministri, kryetari i komunës apo secili zyrtar që ka përgjegjësi për mirëmbajtjen e tyre. Prandaj paguajmë taksë rrugore”, ka deklaruar ai.

Reçica ka theksuar se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë kompensim për dëmet e shkaktuara nga neglizhenca institucionale duke përmendur mundësinë e ngritjes së padive ndaj institucioneve përgjegjëse.

Sipas tij, për autostradat dhe rrugët nacionale përgjegjësia bie mbi institucionet qendrore përkatëse, ndërsa për rrugët lokale mbi komunat përkatëse.

Reagimet vijnë pas aksidentit të rëndë në Autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një person humbi jetën, ndërsa janë ngritur sërish shqetësime për sigurinë dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore në vend. /Kosova.info/

Go to TOP