Dora e thyer nuk e ndali: Zion Suzuki gati të mbrojë Japoninë

Portieri i skuadres italiane Parma, Zion Suzuki, po përgatitet të jetë zgjedhja e parë e Japonisë në Botërorin 2026.

I lindur në Newark të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga një baba me prejardhje ganeze dhe një nënë japoneze, njëzet e tre vjeçari u rrit në Japoni, ku nisi rrugëtimin e tij në futboll me ekipet e të rinjve të Urawa Red Diamonds.

Suzuki konsiderohej një nga talentët më të mëdhenj të portës në futbollin japonez. Ai nënshkroi kontratën e parë profesionale në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, duke u bërë lojtari më i ri në historinë e klubit që arrinte këtë sukses.

Në vitin 2023 ai u transferua në Belgjikë te Saint-Trond, ku fitoi përvojën e nevojshme për t’u afirmuar në futbollin evropian. Vetëm një vit më vonë, Parma e transferoi për rreth dhjetë milionë euro, duke vendosur rekord shitjeje për klubin belg.

Te skuadra italiane, Suzuki është shndërruar në një nga portierët më të qëndrueshëm të Serie A. Ai ka zhvilluar pesëdhjetë e nëntë ndeshje në të gjitha garat dhe ka mbajtur portën të paprekur në trembëdhjetë prej tyre.

Rrugëtimi i tij drejt Botërorit nuk ka qenë i lehtë. Në fund të vitit 2025 ai theu dorën e majtë në një ndeshje ndaj Milanit dhe pjesëmarrja në Botëror u vu në dyshim. Megjithatë, pas rikuperimit, ai u rikthye në formë dhe siguroi vendin e titullarit te Japonia.

Suzuki do të jetë një nga figurat kryesore të Japonisë në Grupin F, ku japonezët do të përballen me Holandën, Suedinë dhe Tunizinë.

Go to TOP