Yaya Toure bëhet trajner i Slovan Bratislavës

Ish-futbollisti i njohur nga Bregu i Fildishtë, Yaya Toure, është emëruar trajner i skuadrës sllovake Slovan Bratislava.

Lajmi është konfirmuar nga klubi të shtunën.

Dyzet e tre vjeçari ka nënshkruar kontratë trivjeçare me kampionët e Sllovakisë, duke nisur kështu aventurën e tij të parë si trajner kryesor i një ekipi senior.

“Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar. Me sinqeritet, mezi pres që të fillojmë punën së bashku të hënën. Dua të vazhdoj mbi bazat e forta që ka klubi, por edhe të sjell diçka të re dhe unike nga vetja ime. Futbolli është gjithçka për mua. I dua sfidat dhe jam jashtëzakonisht i emocionuar që do të drejtoj një klub të madh me histori të pasur, stadium të bukur dhe ambicie të mëdha”, ka deklaruar Toure.

Legjenda afrikane i kishte dhënë fund karrierës si futbollist në vitin 2020. Pas pensionimit, ai ka punuar si ndihmës-trajner te Olimpik Donetsk në Ukrainë, Akhmat Grozny në Rusi, Standard Liege në Belgjikë, si dhe së fundmi te kombëtarja e Arabisë Saudite, ku ishte pjesë e stafit të Roberto Mancini.

Kryetari i klubit, Ivan Kmotrik Jr., e vlerësuar emërimin e Toure si fillimin e një epoke të re për Slovan Bratislavën, skuadrën që ka fituar njëzet e katër herë titullin kampion në Sllovaki.

Sfida e parë e madhe për Toure do të vijë shumë shpejt. Më 17 qershor, Slovan Bratislava do të mësojë kundërshtarin e saj në raundin e dytë kualifikues të Champions League, pas shortit në Nion të Zvicrës.

Go to TOP