Zeqiri vazhdon me Prishtinën deri në vitin 2029
Prishtina ka zyrtarizuar vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin Dren Zeqiri, i cili do të jetë pjesë e klubit bardhekaltër deri në vitin 2029, pas një marrëveshjeje të re për edhe tri sezone të tjera.
Sipas njoftimit nga klubi, njëzet e dy vjeçari shpërblehet për sezonin e tij të parë shumë të suksesshëm me Prishtinën, ku u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
“Që në vitin e tij të parë te Prishtina, Zeqiri la gjurmë me paraqitjet e tij në mesin e fushës, duke spikatur me energjinë, angazhimin dhe cilësitë e tij në të dy fazat e lojës. Ai zhvilloi 28 ndeshje në të gjitha garat, duke kontribuar me 2 gola dhe 3 asistime. Përveç kontributit të drejtpërdrejtë në sulm, Zeqiri ishte një ndër futbollistët me kilometrat më të shumtë të përshkuar në Superligën e Kosovës, duke dëshmuar rëndësinë dhe ndikimin e tij në lojën e ekipit gjatë gjithë sezonit”, ka thënë skuadra kryeqytetase.”Vazhdimi i bashkëpunimit me Drenin është një tjetër hap i rëndësishëm në ruajtjen e boshtit të skuadrës, ndërsa presim që ai të vazhdojë zhvillimin dhe paraqitjet e tij të mira me fanellën e FC Prishtinës edhe në sezonet e ardhshme”.
