Rukiqi: Marre që qytetarëve po u mohohet shikimi i Botërorit, RTK dhe VALA financohen nga taksat e tyre

Anëtari i kryesisë qendrore të LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes mes RTK-së dhe VALA-s lidhur me transmetimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror duke e cilësuar atë si skandaloze dhe në kundërshtim me interesin publik.

Përmes një postimi publik, Rukiqi tha se si RTK-ja ashtu edhe VALA financohen nga buxheti i shtetit, përkatësisht nga taksat e qytetarëve, por pavarësisht kësaj, sipas tij, mijëra qytetarëve po u cenohet e drejta për të ndjekur ngjarjen më të madhe të futbollit.

“Prej të njëjtit buxhet, me paratë tona i financojmë/subencionojmë edhe RTK-në edhe VALA-n. Megjithatë, me një marrëveshje skandaloze, kanë vendosur t’ua cenojnë të drejtën e ndjekjes së Kampionatit Botëror mijëra qytetarëve”, ka shkruar ai.

Rukiqi ka theksuar se më të prekurat nga kjo situatë janë familjet me të ardhura të ulëta, veçanërisht fëmijët, të cilët sipas tij nuk kanë mundësi të paguajnë kosto shtesë për të ndjekur ndeshjet.

Ai vlerësoi se një ngjarje sportive që në mbarë botën bashkon familje dhe gjenerata të tëra nuk duhet të bëhet e paarritshme për qytetarët duke kërkuar që institucionet publike të vendosin interesin e qytetarëve mbi çdo marrëveshje ekskluzive.

“Kur financohen nga publiku, interesi publik duhet të jetë prioriteti i parë, jo ekskluziviteti që përjashton qytetarët”, ka përfunduar Rukiqi. /Kosova.info/

Go to TOP