27-vjetori i çlirimit, liderët kujtojnë rrugën drejt lirisë së Kosovës

Në shënimin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, u.d. presidentja Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kanë vlerësuar sakrificën e popullit për liri, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve perëndimorë, duke e cilësuar 12 Qershorin si një nga datat më të rëndësishme në historinë e vendit.

Në ceremoninë shtetërore të mbajtur në Prishtinë, ata theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, forcimit të shtetit dhe thellimit të partneritetit me SHBA-në, NATO-n dhe vendet evropiane.

Haxhiu: Në qershor u kthye jeta në Kosovë 

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se qershori i vitit 1999 do të mbahet mend si gëzimi më i madh i popullit.

Haxhiu tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi i NATO-s e detyruan makinerinë e dhunës serbe të largohej përgjithmonë nga Kosova.

“Kush e ka përjetuar atë qershor, e mban mend se si u kthye jeta në Kosovë. Kolonat e gjata që muaj më parë largoheshin nga vendi, tani po ktheheshin drejt shtëpisë. Njerëzit dilnin nëpër rrugë për të përqafuar njëri-tjetrin, për të kërkuar të afërmit dhe për të nisur jetën nga e para, mes shtëpive të djegura, por me kokën lart e me dinjitet. Ishte gëzimi më i madh i një populli, i përzier me dhimbjen më të thellë të tij”, tha ajo.

Haxhiu tha se rruga e lirisë nuk nisi vetëm në vitin 1998, por edhe duke kaluar nëpër ilegalen që e mbajti gjallë idealin e lirisë kur për të paguhej me burg e me jetë, nëpër rezistencën e Adem Demaçit, të cilin 28 vjet qëndrim në burg nuk e thyen dot, nëpër demonstratat e vitit 1981 që nisën nga studentët dhe u bënë zëri i një populli të tërë dhe nëpër lëvizjen paqësore të viteve të 90-ta me presidentin Ibrahim Rugova.

“Të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës mbartin një patriotizëm që nuk ishte i tyre, por e kryeshëm mbi këtë krim. Republika i nderon dhe qëndron pranë tyre. Kujtojmë po ashtu gratë e luftës dhe të eksodit, luftëtaret e lirisë dhe nënat që mbajtën familjen gjallë në ditët më të vështira”, tha Haxhiu, teksa falënderoi edhe partnerët perëndimor, SHBA-të si dhe Shqipërinë për përkrahjen e tyre në rrugën e lirisë.

Kurti: Çlirimi i Kosovës, histori suksesi për Evropën dhe SHBA-të

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë kësaj ceremonie tha se Kosova qe një nga vendet me popullsinë më të shtypur në kontinent, por që luftoi pareshtur për arritjen e lirisë.

Ai tha se lufta për lirinë e Kosovës është një kapitull i veçantë në historinë bashkëkohore të botës.

“Për dekada të tëra, Kosova ishte një nga vendet me popullsinë më të shtypur në kontinent, mbi baza etnike, ku diskriminimi publik dhe shfrytëzimi ekonomik, kufizimet e të drejtave politike e kulturore, si dhe dhunimi i lirive njerëzore ishin norma zyrtare të ekzekutuara në trajtë të krimeve shtetërore. Kjo pasi që Kosova ishte pushtuar dhe ripushtuar disa herë nga Serbia: më 1912, më 1918 dhe pastaj më 1944, si dhe ishte përfshirë pa vullnetin e popullit shumicë shqiptar të saj, fillimisht në Jugosllavinë e parë mbretërore, e pastaj në Jugosllavinë e dytë federative komuniste, që të dyja të dominuar nga Beogradi dhe nga politika e tij hegjemoniste”, tha ai.

Kryeministri në detyrë potencoi që tema e Kosovës arriti nga një problem i brendshëm i Jugosllavisë së tretë, të shndërrohej në një çështje politike kombëtare dhe pastaj në një krizë ndërkombëtare, e cila kërkonte angazhim të gjerë dhe zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë.

“Brenda harkut kohor të një dhjetëvjeçari, Kosova u shndërrua nga një provincë e prapambetur dhe e pazhvilluar, në një vend që aspironte jo vetëm të çlirohej nga Serbia fashiste, por edhe të bëhej një republikë demokratike e pavarur, krahas demokracive evropiane. Dhe ja, pas shumë vullnetesh të bashkuara, të rezistencës paqësore dhe të rezistencës armatosur në vendin tonë, mbërritëm në vitin 1999, përkatësisht në pranverën e atij viti, ku Kosova u bë çështje me prioritet të lartë në kancelaritë kryesore politike e diplomatike të perëndimit demokratik”, tha Kurti.

Ai tha se “çlirimi i Kosovës dhe shtetndërtimi i saj janë histori lavdie dhe suksesi për tërë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Begaj: Shqipëria dhe Kosova janë gjysmat e të njëjtit trup

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se 12 qershori mbetet dita kur triumfoi liria mbi egërsinë, shpresa mbi frikën dhe e drejta mbi padrejtësinë gjenocidale.

Ai tha se liria e Kosovës erdhi si produkt i sakrificave sublime të mijëra burrave dhe grave, i luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i vendosmërisë së aleatëve strategjikë.

“Nderojmë sot kryetrimin dhe kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe familjen e tij, dhe të gjithë luftëtarët e lirisë. Kujtojmë sot dhe nderojmë rezistencën e Adem Demaçit. Kjo ditë feste dhe reflektimi, mendja dhe zemra është edhe në Hagë, aty ku krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po përballen me një tjetër betejë, në një proces që rëndon si një padrejtësi e madhe historike”, tha ai, duke shtuar se beson që drejtësia do të triumfojë dhe ata do të kthehen triumfues në Kosovë.

Begaj tha se Shqipëria e Kosova janë të lidhura nga një vëllazëri e pandarë.

“Dua të ritheksoj dhe të risjell sot nga Prishtina, se Shqipëria dhe Kosova janë gjysmat e të njëjtit trup. Shqipëria është dhe do të jetë mbështetja juaj e palëkundur, e pakushtëzuar dhe e përjetshme. Shqipëria është dhe do të jetë zëri i fuqishëm i Kosovës në çdo tryezë diplomatike dhe arenë ndërkombëtare, duke mbrojtur me çdo çmim paprekshmërinë e kufijve të saj dhe duke kërkuar integrimin e plotë të Kosovës në NATO, në Bashkimin Europian dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare”, tha ai.

Go to TOP