Shfaqet premiera e dokumentarit të RTK-së për Adem Shehin
Radiotelevizioni i Kosovës sonte në kinemanë ABC pati premierën e dokumentarit “Në shërbim të betimit”, dedikuar veprimtarisë atdhetare të komandantit nga Shqipëria, Adem Shehit.
I përgatitur nga gazetarja e RTK-së, Sahadete Krasniqi bashkë me kolegët Mumin Jashari dhe Besart Daka, dokumentari dëshmon kontributin e komandantit të Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se ekipi realizues i këtij dokumentari ka ruajtur zërin e një kohe dhe kujtimin e njerëzve që në çaste të vështira morën vendime të qarta, pa kërkuar vend në krye të rrëfimit.
“Te Adem Shehi takohen dy përmasa të njëjta të ndërgjegjes shqiptare. Shqipëria që nuk qëndroi indiferente dhe Kosova që nuk pranoi nënshtrimin”, tha ajo.
Haxhiu për dekorimin e sotshëm presidencial me urdhrin e lirisë, tha se nuk ka nderuar veç komandant Shehin, por edhe oficerët dhe vullnetarët nga Shqipëria që iu përgjigjën thirrjes së Kosovës dhe iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haxhiu tha se Shehi përpara se të hynte drejtpërdrejtë në luftë, ai ndihmoi në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve ushtarë të UÇK-së.
“Adem Shehi solli pjesën që e bën këtë vullnet të qëndrueshëm, e solli stërvitjen, disiplinën, por po ashtu edhe mendimin ushtarak”, deklaroi ajo.
Shehi: Lashë familje të vogël në Tiranë, gjeta familje të quajtur Kosovë
“Unë lashë një familje të vogël në Tiranë dhe gjeta një familje të madhe, të quajtur Kosovë në Gollak”, tha vet komandanti Agim Shehi, i emocionuar në promovimin e dokumentarit në Pishtinë.
Ai shprehi mirënjohjen e tij për nënat që kanë rritur djemtë e tyre, pjesëtarë të UÇK-së. Përmendi edhe SHBA-të e forcat perëndimore si përkrahës të dëshirës për liri.
“Në bashkëpunim së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjatë 78 ditëve, pedagogu im mbajti lidhje të drejtpërdrejta me aviacionin e NATO-s. Do t’u jem mirënjohës të burgosurve të çështjes kombëtare që trasuan këtë rrugë për të vazhduar dhe për të finalizuar që Kosova të jetë e lirë. Paçim fat, qofshi faqebardhë! Kosova është shpirti im”, tha ai.
Maqedonci: Komandanti na thoshte ‘shqiptarët qesin saktë me armë’
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka veçuar disa ngjarje nga 28 vjet të njohjes me komandantin Shehin.
“Ditën e parë të të shtënave që e kemi pasur me armë në poligonin në Shqipëri, pasi kishim ardhur nga perëndimi, shumica ishim të rinj, shumica përdornim për herë të parë armët dhe për të na motivuar komandanti gjeti një shprehje mjaft interesante; Na thoshte që për të provuar që jeni shqiptar gjenetikisht, duhet të keni qitje të saktë me armë, sepse shqiptarët e vërtetë qesin saktë. Përmes kësaj na detyronte që të koncentrohemi në qitje edhe mos të shpenzonim shumë municione për të pasur qitje të sakta, por edhe normalisht që ta ndjenim veten më mirë”, kujtoi Maqedonci.
