Meksika e nis Botërorin 2026 me fitore ndaj Afrikës së Jugut
Meksika e ka nisur me fitore Kampionatin Botëror 2026, pasi të enjten mbrëma e ka mposhtur Afrikën e Jugut me rezultat 2:0 në stadiumin “Azteca” në Mexico City.
Vendasit kanë kaluar në epërsi që në minutën e nëntë. Julian Quinones ka përfituar nga një gabim i madh i mbrojtjes së Afrikës së Jugut dhe e ka dërguar topin në rrjetë për 1:0.
Pjesa e parë është mbyllur me këtë rezultat.
Për Afrikën e Jugut situata është vështirësuar edhe më shumë në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e dyzet e nëntë, Yaya Sithole është ndëshkuar me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak në fushë.
Meksikanët e kanë shfrytëzuar epërsinë numerike dhe në minutën e gjashtëdhjetë e shtatë e kanë realizuar edhe golin e dytë. Roberto Alvarado ka harkuar në zonë, ndërsa Raul Jimenez ka shënuar me kokë për rezultatin përfundimtar 2:0.
Në kohën shtesë edhe Meksika ka mbetur me dhjetë lojtarë, pasi Cesar Montes është ndëshkuar me karton të kuq për shkak të një ndërhyerje të palejueshme, por ka qenë shumë vonë që afrikanët të bëjnë diçka.
Kjo ndeshje i ka takuar Grupit A të Botërorit 2026. Në të njëjtin grup bëjnë pjesë edhe Republika Çeke dhe Koreja e Jugut, të cilat do të përballen në orët e hershme të së premtes.
