Prishtina shënon Ditën e Çlirimit, theksohet se liria e fituar duhet të shoqërohet me përgjegjësi

Në shënim të 27-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal mbajti seancë solemne, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe të tjerë. Në këtë seancë u vlerësua sakrifica për liri, rrugëtimi drejt shtetndërtimit dhe zhvillimi i kryeqytetit ndër vite.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se liria e fituar me sakrificë duhet të shoqërohet me përgjegjësi për ndërtimin e një shteti dhe kryeqyteti të denjë për brezat e ardhshëm.

“Sot jemi në këtë seancë simbolike ku takohet historia me të ardhmen. Në njërën anë po shihni që kemi këtu veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që me guxim, me sakrificë dhe besim e sollën lirinë. Në anën tjetër kemi institucionet që na ruajnë sot, kemi Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, zjarrfikësit dhe të gjithë punëtorët që çdo ditë i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve të tij. Kjo pamje është dëshmia më e bukur e rrugëtimit tonë nga rezistenca te shtetndërtimi, nga lufta për liri te përgjegjësia për ta mbrojtur dhe forcuar atë”, ka thënë ai.

Rama ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve është të ndërtojnë një shtet dhe një kryeqytet që janë të denjë për sakrificën e dëshmorëve. 

“Prandaj jemi krenarë që kemi përfunduar varrezat e dëshmorëve në Makoc e Marec, edhe ato në Prishtinë, duke krijuar vende dinjitoze kujtese për ata që i dhanë Kosovës jetën e tyre. E në zemër të Prishtinës tani do të ndërtohet edhe memoriali i familjes Jashari të komandantit Adem Jashari. Kjo do të jetë një hapësirë kujtese, një hapësirë reflektimi dhe edukimi për brezat e rinj. Po ashtu, në përfundim është edhe projekti për parkun memorial dhe bibliotekën presidenciale “Ibrahim Rugova”. Edhe ky një institucion që do ta ruajë trashëgiminë e presidentit historik dhe do të jetë simbol i dijes, kulturës dhe i vizionit shtetformues”. 

Kurse, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, theksoi se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së brezave të tërë dhe se kujtesa për dëshmorët e luftës mbetet pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare.

“Në këtë ditë, përkulemi me respektin më të thellë para dëshmorëve të kombit, martirëve, invalidëve të luftës dhe të gjithë atyre burrave e grave që sakrifikuan gjithçka për idealin e lirisë. Vepra e tyre është e pavdekshme, dhe kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare”, tha ai.

E ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, theksoi rëndësinë historike të 11 qershorit 1999 dhe domethënien e luftës për lirinë e Kosovës.

“Sot shënojmë 27 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ditën më të rëndësishme të çlirimit të kryeqytetit tonë. 11 qershori, 1999, lufta për liri, po kurorëzojmë me hyrjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me tërheqjen e forcave të NATO-s, në Kosovë, ishte dita kur liria po bëhej e prekshme. Çlirimi i qytetit dhe i gjithë Kosovës, përmes luftës çlirimtare dhe zbarkimit të NATO-s në Kosovë, nuk është vetëm një tregim për të kaluarën tonë të lavdishme, por edhe një udhërrëfyes për të ardhmen dhe drejtimin strategjik që duhet ta ndjekë Kosova”, tha ai.

Go to TOP