“Kush e çoi Drita Morinën në KPM?”, Emanuel Demaj ngre dyshime për përzgjedhjen e saj
Demaj ngre dyshime, si përfundoi në pozitë në KPM personi që menaxhonte thirrjet?
Emanuel Demaj, në emisionin “Click” në RTV21, ka komentuar deklaratat e fundit të anëtares së KPM-së, Drita Morina, duke rikujtuar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të institucioneve publike.
“Dua të kthehem një muaj më parë, kur kishim zgjedhjen e bordeve të KPM-së dhe RTK-së, pikërisht për shkak të këtij emri. Unë kam aplikuar për anëtar të Bordit të RTK-së. Pikërisht ky person që e ka dhënë këtë deklaratë më ka telefonuar nga Kuvendi. Ka qenë pjesë e Kuvendit që ka menaxhuar me thirrjet, nuk e di cili ka qenë saktësisht roli i saj”, tha Demaj.
Ai pretendoi se procesi është përcjellë me probleme dhe parregullsi.
“Ka pasur aq shumë skandale. Drita Morina, po e them me emër, ka qenë zyrtare dhe person përgjegjës që i ka ftuar kandidatët që kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e bordeve, ndërsa e njëjta ka aplikuar edhe vetë dhe është zgjedhur anëtare e KPM-së. Kjo ishte skandaloze. Në këto konkurse shumë njerëzve iu pamundësua të shkonin në intervistë, ka qenë skandal”, deklaroi ai.
Demaj tha se ishte befasuar kur kishte parë emrin e saj në deklaratat publike kundër mediave.
“Kur e pashë atë emër, u irritova, sepse i njëjti person më thirri dhe më tha: ‘Zotëri, ju jeni konflikt interesi’. Prandaj shtroj pyetjen: Kush e çoi Drita Morinën aty dhe pse pikërisht ky person po del me deklarata të tilla? Ose po ia kryen argatin pushtetit”, tha Demaj.
