`Bridges of Memory”: Historia nuk duhet të shkruhet nga politika
Historia nuk duhet të përcaktohet nga shtetet apo politikanët, ndërsa pajtimi nuk mund të arrihet vetëm përmes gjykimeve për krime lufte. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të konferencës “Bridges of Memory”, ku ekspertë të drejtësisë ndërkombëtare, studiues dhe aktivistë diskutuan mbi kujtesën kolektive, drejtësinë tranzicionale dhe sfidat e ndërtimit të paqes në Ballkan.
Gjatë diskutimeve u theksua se gjykimet për krime lufte kanë krijuar një bazë të rëndësishme faktesh dhe provash, por nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndërtuar pajtim të qëndrueshëm mes shoqërive të rajonit. Pjesëmarrësit vlerësuan se zëri i viktimave shpesh ka mbetur jashtë debateve politike dhe proceseve të vendimmarrjes.
Vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. U vlerësua se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian vazhdon, por se mungojnë rezultatet konkrete dhe transparenca, veçanërisht në çështje si personat e zhdukur, dokumentimi i krimeve dhe ballafaqimi me të kaluarën.
Folësit ngritën shqetësime edhe për mënyrën se si historia mësohet në rajon, duke theksuar se narrativat politike dhe etnike vazhdojnë të dominojnë mbi faktet e vërtetuara nga gjykatat dhe kërkimet akademike. Sipas tyre, arsimi, mendimi kritik dhe tekstet shkollore të bazuara në fakte janë thelbësore për të parandaluar trashëgiminë e paragjykimeve te brezat e rinj.
Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan se dialogu mbetet mjeti më i rëndësishëm për ndërtimin e mirëkuptimit dhe se vetëm përmes pranimit të fakteve, dëgjimit të viktimave dhe promovimit të historisë së bazuar në dëshmi mund të ndërtohet një e ardhme më e qëndrueshme në rajon.
