Kabashi: Mediat e kontrollojnë pushtetin, jo pushteti mediat – kërkesa për mbylljen e “Debat Plus” është alarm për demokracinë
Zyrtari i LDK-së dhe ish-gazetari, Festim Kabashi, ka reaguar ndaj raportimeve se një anëtare e Bordit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) ka kërkuar mbylljen e emisionit “Debat Plus” duke e cilësuar këtë si një zhvillim shqetësues për lirinë e medias në Kosovë.
Përmes një reagimi publik, Kabashi tha se roli i mediave është të mbikëqyrin pushtetin dhe jo të kontrollohen nga ai.
“Mediat janë kriju me kontrollu pushtetin, jo pushteti median”, ka shkruar ai.
Sipas Kabashit, kryeministri në detyrë Albin Kurti, përmes njerëzve të emëruar në borde dhe institucione të pavarura, po tenton të ushtrojë ndikim mbi mediat dhe opinionin publik.
Ai u shpreh i habitur nga pretendimet se një anëtare e Bordit të KPM-së ka kërkuar mbylljen e emisionit “Debat Plus” duke thënë se kjo tregon arsyen pse, sipas tij, pushteti synon kontrollin e institucioneve të pavarura.
“Kjo e shpjegon qartë pse kanë aq etje për t’i kapur bordet dhe institucionet e pavarura: po dojnë me kontrollu çdo zë në opinionin publik”, deklaroi Kabashi.
Tutje, ai ngriti shqetësime edhe për gjendjen e transmetuesit publik duke vlerësuar se ai është sjellë para një rreziku serioz për funksionimin e tij.
Kabashi theksoi se liria e medias dhe pavarësia e institucioneve janë shtylla themelore të demokracisë dhe paralajmëroi se opozita nuk do të lejojë, sipas tij, cenimin e tyre përmes kapjes së institucioneve dhe presionit ndaj mediave.
“Liria e medias dhe pavarësia e institucioneve janë themel i demokracisë. Nuk do t’ju lejojmë që, përmes kapjes së institucioneve dhe presionit ndaj mediave, ta rrezikoni demokracinë dhe shtetin tonë”, përfundoi Kabashi. /Kosova.info/
