AKB: Kosova të zgjedhë gazin amerikan dhe sigurinë energjetike, çdo vonesë po i kushton miliona ekonomisë
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka ngritur alarmin për mungesën e një strategjie të qartë dhe afatgjatë për sigurinë energjetike në Kosovë,ë duke kërkuar nga institucionet vendore që të marrin sa më shpejt vendime për përfshirjen e vendit në projektet e gazit natyror dhe LNG-së amerikane, shkruan Kosova.info.
Përmes një reagimi publik, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar se Kosova, edhe pas më shumë se dy dekadash liri dhe 18 vitesh shtetësi, vazhdon të mos ketë një plan të qëndrueshëm për garantimin e furnizimit me energji, ndërsa vendet e rajonit po investojnë në diversifikimin e burimeve energjetike dhe po lidhen me rrjetet moderne të gazit natyror.
Sipas AKB-së, refuzimi ose neglizhimi i mundësisë për t’u bërë pjesë e projekteve strategjike të gazit amerikan do të përbënte një gabim historik me pasoja të rënda ekonomike, energjetike dhe gjeopolitike për Republikën e Kosovës.
“Për komunitetin e biznesit kjo nuk është çështje politike, por çështje mbijetese dhe zhvillimi ekonomik. Pa furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji nuk mund të ketë industri konkurruese, investime serioze, vende të reja pune dhe rritje ekonomike të qëndrueshme”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Organizata thekson se bizneset kosovare po përballen me kosto të larta të energjisë dhe pasiguri në furnizim, gjë që po ndikon drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas saj, çdo vonesë në marrjen e vendimeve strategjike po i kushton ekonomisë së vendit miliona euro dhe po dekurajon investitorët e huaj.
AKB ka shprehur mbështetje të fuqishme për bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke vlerësuar se qasja në gazin amerikan përfaqëson jo vetëm një alternativë energjetike, por edhe një garanci për sigurinë ekonomike dhe gjeopolitike të Kosovës.
Në fund, AKB i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse që të ndalin hezitimet dhe zvarritjet administrative duke theksuar se energjia nuk pret ciklet zgjedhore dhe se vendimet që nuk merren sot do të paguhen shtrenjtë nesër nga qytetarët dhe bizneset.
“Koha për analiza të pafundme ka përfunduar. Tani është koha për vendime të guximshme dhe vizionare. Kosova duhet të zgjedhë mes varësisë energjetike dhe sigurisë energjetike”, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
