Irani thotë se tifozët u privuan nga mundësia për ndjekjen e Botërorit
Federata e Futbollit të Iranit ka njoftuar se i është hequr kuota e biletave për Kupën e Botës, vetëm pak ditë para fillimit të turneut, duke lënë shumë tifozë pa mundësi për të ndjekur ndeshjet e kombëtares së tyre.
Sipas federatës iraniane, shumë tifozë kishin bërë tashmë planet e udhëtimit dhe kishin nisur procesin për blerjen e biletave, duke u bazuar në procedurat zyrtare të shpallura më herët.
“Privimi i tifozëve iranianë nga e drejta për të përdorur kuotën zyrtare të biletave është në kundërshtim me frymën e garave ndërkombëtare dhe parimin e barazisë mes vendeve pjesëmarrëse”, thuhet në deklaratën e federatës.
Federata iraniane ka kërkuar nga FIFA që të respektojë “neutralitetin, drejtësinë dhe rregullat e vendosura”, duke theksuar se vendime të tilla rrezikojnë të ndikohen nga faktorë jashtë sportit.
Sipas rregullave të FIFA-s, çdo federatë pjesëmarrëse në Kupën e Botës ka të drejtë në rreth 8% të biletave për ndeshjet e kombëtares së saj, të cilat i shpërndan për tifozët sipas kritereve të brendshme.
Federata iraniane nuk ka sqaruar se kush e ka marrë vendimin për heqjen e kuotës, ndërsa FIFA nuk ka reaguar për këtë çështje.
Pjesëmarrja e Iranit në këtë Botëror ka qenë e shoqëruar me spekulime, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Pavarësisht këtyre problemeve, ekipi i Iranit ka arritur në vendin e tij të grumbullimit dhe po përgatitet për ndeshjet e fazës së grupeve në Kupën e Botës.
