Lansohet Platforma Kombëtare e Katalogut të Bibliotekave – KOHA

Është lansuar zyrtarisht Platforma Kombëtare e Katalogut të Bibliotekave – KOHA duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të Rrjetit Bibliotekar të Kosovës dhe digjitalizimit të shërbimeve bibliotekare në vend.

Sipas njoftimit të BKK-së, pas disa muajsh pune në zhvillimin dhe përgatitjen e sistemit, Rrjeti Bibliotekar i Kosovës është bërë realitet duke mundësuar lidhjen e bibliotekave në një platformë të përbashkët. Platforma është e qasshme për publikun në adresën www.katalogu-bibliotekat.com.

Në fazën fillestare, sistemi përfshin të dhënat bibliografike të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ndërsa në periudhën e ardhshme do të pasurohet gradualisht me të dhënat e bibliotekave të tjera pjesëmarrëse.

Në këtë projekt janë të përfshira 48 biblioteka publike nga e gjithë Kosova. Bibliotekat që tashmë përdorin sisteme të integruara bibliotekare do të migrojnë të dhënat e tyre në platformën e re, ndërsa ato që nuk kanë sisteme të tilla do të trajnohen për përdorimin e platformës dhe krijimin e regjistrimeve bibliografike.

Përmes sistemit KOHA do të mundësohet qasje e unifikuar në katalogët e bibliotekave të vendit duke lehtësuar kërkimin e materialeve dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve bibliotekare në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP