AKB: Rënia e votuesve rrëzon triumfalizmin politik, askush nuk fitoi zemrat e qytetarëve
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhjet e fundit është një sinjal i qartë pakënaqësie ndaj klasës politike dhe një mesazh se votuesit po kërkojnë rezultate konkrete e jo vetëm premtime.
Sipas Shahinit, kur pothuajse të gjitha partitë politike regjistrojnë humbje të votuesve, askush nuk mund të pretendojë se ka fituar zemrat e qytetarëve.
“Zgjedhjet e djeshme treguan se votuesi kosovar po largohet nga politika e premtimeve dhe po kërkon rezultate konkrete. Kjo është një kambanë alarmi për të gjithë spektrin politik”, ka deklaruar ai.
Shahini theksoi se rënia e besimit qytetar ndaj politikës duhet të shërbejë si moment reflektimi për të gjitha subjektet politike duke shtuar se qytetarët presin më shumë përgjegjësi, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së përditshme.
“Besimi nuk trashëgohet, fitohet çdo ditë”, u shpreh kryetari i AKB-së duke nënvizuar se partitë politike duhet të rikthejnë fokusin te rezultatet dhe interesat e qytetarëve nëse synojnë të rikthejnë besimin e humbur.
Sipas tij, mesazhi i dalë nga këto zgjedhje është i qartë: qytetarët po kërkojnë veprime konkrete dhe jo retorikë politike. /Kosova.info/
