Cakolli: LVV pësoi rënie në të gjitha komunat, LDK dhe AAK në rritje – Malisheva bastioni më i fortë i PDK-së

Sipas një analize të publikuar nga Eugen Cakolli, krahasimi i rezultateve preliminare të zgjedhjeve të mbajtura dje me ato të 28 dhjetorit 2025 tregon ndryshime të rëndësishme në mbështetjen elektorale të partive politike në nivel komunal, shkruan Kosova.info.

Cakolli thekson se, përveç dallimeve në numrin e përgjithshëm të votave që lidhen me pjesëmarrjen dukshëm më të ulët në zgjedhje, rezultatet nëpër komuna nxjerrin në pah lëvizje interesante në përqindjet e subjekteve politike.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka shënuar rënie në përqindje në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Megjithëse mbetet forca e parë politike në 31 komuna, partia ka humbur terren në të gjithë vendin dhe ka humbur primatin në tri komuna. Rëniet më të mëdha janë regjistruar në Suharekë me 14.54 pikë përqindje, Mamushë me 14.07, Junik me 10.30 dhe Rahovec me 10.23 pikë përqindje.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar rritje në 35 komuna. Përmirësimet më të mëdha janë evidentuar në Istog me 10.6 pikë përqindje, Malishevë me 9.2, Junik me 8.6, Suharekë me 8.2 dhe Rahovec me 7.7 pikë përqindje.

Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Cakolli vlerëson se ajo ka qenë më stabile krahasuar me subjektet tjera politike. PDK ka shënuar rënie në 21 komuna dhe rritje në 16 të tjera, me ndryshime relativisht të vogla në shumicën e rasteve. Megjithatë, rritja më e madhe e saj është regjistruar në Malishevë, ku ka fituar rreth 22 pikë përqindje, duke shënuar lëvizjen më të madhe komunale të evidentuar në këto zgjedhje.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka rritur përqindjen e votave në 30 komuna, ndonëse në shumicën prej tyre me diferenca të vogla. Rritjet më të mëdha për këtë subjekt janë shënuar në Suharekë me 9.2 pikë përqindje, Deçan me 7.6, Rahovec me 6.5, Junik me 6.2 dhe Gjakovë me 4.5 pikë përqindje.

Analiza e Cakollit sugjeron se zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një rikonfigurim të mbështetjes elektorale në nivel lokal, me rënie të dukshme të LVV-së dhe forcim të pozicioneve të LDK-së, AAK-së dhe në disa zona edhe të PDK-së.

Go to TOP