Rama: 60 investitorë të huaj shprehin interes për Prishtinën, synohen investime të reja dhe vende pune
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në Konferencën e Investitorëve Amerikanë, e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, janë nënshkruar 60 letra interesi nga investitorë amerikanë, britanikë, suedezë dhe shqiptarë, shkruan Kosova.info.
Sipas Ramës, ky zhvillim përbën një sinjal të qartë të besimit që komuniteti ndërkombëtar i biznesit po e tregon ndaj kryeqytetit të Kosovës dhe potencialit të tij për zhvillim ekonomik.
Ai njoftoi se, në bashkëpunim me American Chamber of Commerce in Kosovo, është organizuar edhe një takim koordinues me institucionet financiare vendore, mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, përfshirë U.S. International Development Finance Corporation, si dhe përfaqësues të ambasadave të ndryshme.
Sipas tij, qëllimi i këtij takimi ishte harmonizimi i hapave të mëtejshëm për ta bërë investimin në Prishtinë më të lehtë, më të shpejtë dhe më të sigurt për investitorët e huaj dhe vendorë.
“Qytetarët e Prishtinës meritojnë transformim, zhvillim dhe mundësi të reja. Ne jemi të përkushtuar të krijojmë partneritete të forta dhe të hapim çdo derë që sjell investime, vende të reja pune dhe një qytet më modern e më konkurrues”, ka deklaruar Rama.
Ai ka theksuar se Prishtina ka potencialin të shndërrohet në një qendër të rëndësishme investimesh në rajon, duke shtuar se komuna do të vazhdojë të punojë për ta kthyer këtë potencial në rezultate konkrete për qytetarët.
