Sadiku: Qytetarët ndëshkuan VV-në dhe PDK-në, por LDK-ja nuk arriti t’i bindë të zhgënjyerit

Kandidati për deputet nga LDK-ja me numër 23, Ermal Sadiku, ka falënderuar votuesit për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor kërkon reflektim të thellë brenda partisë për mënyrën e komunikimit me qytetarët.

Në një mesazh publik drejtuar votuesve të LDK-së, Sadiku tha se qytetarët i ndëshkuan partitë më të mëdha në vend, duke theksuar se Vetëvendosja humbi rreth 200 mijë vota, ndërsa PDK-ja afro 50 mijë vota.

“Populli ua tregoi vendin të dyjave. Por ky popull nuk erdhi te ne. Nuk arritëm ta bindim këtë qytetar se jemi opozita dhe alternativa që i duhet Kosovës. Nuk arritëm të komunikojmë mjaftueshëm mirë, mjaftueshëm qartë dhe mjaftueshëm sinqerisht me të. Për këtë duhet të reflektojmë”, ka shkruar ai.

Sadiku e cilësoi LDK-në si partinë më demokratike, më shtetformuese dhe më të përgjegjshme në Kosovë, duke theksuar se ajo ka dëshmuar vazhdimisht se mbron institucionet, shtetin dhe aleancat ndërkombëtare.

Sipas tij, partia duhet të ketë një qasje më të drejtpërdrejtë me qytetarët, duke shpjeguar qartë se si politikat e saj ndikojnë në përmirësimin e jetës së përditshme, në arsim, shëndetësi, ekonomi, sport dhe kulturë.

“Qytetari duhet ta dijë saktësisht se si i përmirësohet jeta nëse na voton neve. Si do të rregullohet arsimi. Si do të përmirësohet shëndetësia. Si do t’i krijohen më shumë mundësi fëmijës së tij”, ka theksuar ai.

Sadiku shtoi se LDK-ja duhet të flasë më qartë për dëmet që, sipas tij, qeverisja e Vetëvendosjes po i shkakton ekonomisë, energjisë, arsimit, shëndetësisë dhe sektorit të biznesit, por gjithmonë duke ofruar fakte, argumente dhe alternativa konkrete.

Ai vuri theks të veçantë te roli i arsimit dhe dijes në zhvillimin e vendit, duke deklaruar se e ardhmja e Kosovës nuk ndërtohet me urrejtje, por me edukim, shkencë, teknologji dhe mendim kritik.

Në fund, Sadiku bëri thirrje që angazhimi politik të mos kufizohet vetëm gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, por të vazhdojë çdo ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Fushata nuk duhet të zgjasë vetëm 30 ditë para zgjedhjeve. Ajo duhet të vazhdojë çdo ditë, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet. Vetëm kështu mund ta fitojmë besimin e atyre që sot janë të zhgënjyer, të pavendosur ose që kanë hequr dorë nga politika”, ka përfunduar Sadiku.

Go to TOP