PRIZREN: Gjenden disa fletëvotime të dëmtuara në shkollën “Sharr” në Jabllanicë, policia në terren
Një incident është raportuar sot në vendvotimin 2069/01 në fshatin Jabllanicë të Prizrenit, ku sipas informacioneve të siguruara nga anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) dhe burime policore, në ambientet e shkollës “Sharr” janë gjetur rreth dhjetë fletëvotime të dëmtuara, shkruan Kosova.info.
Sipas informacioneve fillestare, gjashtë prej tyre dyshohet se janë dëmtuar gjatë futjes në kutinë e votimit, ndërsa të tjerat paraqesin dëmtime të natyrave të ndryshme.
Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarët policorë, të cilët po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe po mbledhin informacione lidhur me rrethanat e rastit. Sipas burimeve të disponueshme, KKZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ndërsa po shqyrtohen të gjitha opsionet e mundshme deri në sqarimin e plotë të situatës.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kandidati për deputet R. E. dhe drejtori i shkollës M. E. nuk kanë reaguar lidhur me rastin.
Procesi zgjedhor në Kosovë po zhvillohet sot në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, ku të drejtë vote kanë mbi dy milionë qytetarë të regjistruar. KQZ-ja kishte njoftuar më herët se materialet zgjedhore janë shpërndarë nën masa të shtuara sigurie dhe mbikëqyrje policore.
Për momentin nuk ka konfirmim zyrtar nëse ky incident ka ndikuar në rregullsinë e procesit të votimit apo në vazhdimësinë e votimit në këtë vendvotim. Gjatë ditës pritet që institucionet përgjegjëse të dalin me informacione shtesë rreth rastit.
Sipas burimeve pranë KKZ-së dhe policisë, situata po monitorohet vazhdimisht, ndërsa vendimi përfundimtar lidhur me funksionimin e mëtejshëm të vendvotimit pritet të merret pas përfundimit të verifikimeve.
