Kabashi nga Hasi: Nesër Kosova do të jehojë me fitoren e LDK-së
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Festim Kabashi me numër 41, ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Has duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e së dielës.
Kabashi tha se Hasi është një nga trevat më të njohura për kulturë, traditë dhe atdhedashuri, ndërsa shprehu bindjen se fitorja e LDK-së do të jehojë në të gjithë Kosovën.
“Jemi të bindur se nesër, ashtu siç jehojnë çdo vit këngët dhe vallet e festivalit ‘Hasi Jehon’, do të jehojë e gjithë Kosova me fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, u shpreh ai.
Duke kërkuar votën për LDK-në dhe numrin 41, Kabashi premtoi angazhim të plotë për ta nxjerrë Kosovën nga stagnimi dhe për ta rikthyer në rrugën e zhvillimit.
“Ju premtoj me gjithë zemër se do të angazhohem që Kosova të dalë nga stagnimi që e ka përcjellë që nga viti 2021 dhe të rikthehet në rrugën e zhvillimit, dinjitetit dhe shpresës”, tha Kabashi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave demokratike në vend.
Në fund të mesazhit të tij, kandidati i LDK-së falënderoi qytetarët për mbështetjen e dhënë gjatë fushatës duke premtuar se besimin e marrë do ta kthejë me punë, përgjegjësi dhe përkushtim. /Kosova.info/
