Franca dhe Gjermania propozojnë integrim gradual të Ballkanit Perëndimor në BE
Në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Franca e kanë paraqitur një të ashtuquajtur non-paper, përmes të cilit propozojnë integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.
Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma.
Me të përfunduar samiti, kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se propozimi i ri mori mbështetje nga liderët evropianë ashtu edhe nga ata rajonalë.
Ai tha se në samit u diskutua për ndryshimet që duhen bërë në procesin e zgjerimit të BE-së, që e vlerësoi të ngadalshëm.
“Ne tani po e ndryshojmë këtë dhe do të punojmë më intensivisht në këtë proces. Duhet të merren vendime edhe për këtë, por bisedimet joformale që u zhvilluan këtu sot më japin shpresë se shumë shpejt do të arrijmë te një zgjidhje e duhur”, tha Merz.
Pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti propozim, duke vlerësuar se qëllimi i tij është përmirësimi i procesit të zgjerimit, gjë që, sipas saj, është “më se e mirëpritur”.
“Procesi i bazuar në merita mbetet themeli i qasjes sonë dhe ne duam të ecim shpejt dhe me efikasitet”, tha ajo.
Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, la të kuptohet se ky propozim nuk do të zbatohet në rastin e Malit të Zi – shtetit të rajonit që ka bërë përparimin më të madh drejt BE-së, që pritet të bëhet anëtari më i ri i unionit brenda pak vitesh.
Costa tha se propozimi më i ri, i bërë nga Franca dhe Gjermania, është edhe një përpjekje për thjeshtimin e procedurave burokratike në procesin e zgjerimit. Sipas tij, procesi mbetet i bazuar në merita, por synimi është të zvogëlohet burokracia e ndërlikuar që e shoqëron atë.
“Për Malin e Zi, kjo nuk është aq e rëndësishme sa për vendet e tjera kandidate”, tha Costa në konferencën për media pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Non-paper është dokument joformal që përdoret në qarqet diplomatike evropiane për paraqitjen e ideve të reja, testimin e qëndrimeve ose propozimin e zgjidhjeve, pa e detyruar palën që e paraqet atë të marrë qëndrim formal.
Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik.
Vetë Macron dhe Merz konfirmuan më herët se në samitin BE–Ballkani Perëndimor, që u zhvillua sot në Tivat të Malit të Zi, do të diskutohej propozimi i përbashkët franko-gjerman.
“Tani do të zhvillojmë bisedime me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë çështje. Kjo është qartazi një nga lidhjet tona kryesore, së bashku me perspektivën e zgjerimit, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe nga këndvështrimi gjeopolitik”, tha Macron gjatë mbërritjes në ambientet ku do t’i zhvillojë punimet samiti.
“Në këtë rajon bëhet fjalë për pavarësinë evropiane në fusha si energjia, siguria dhe menaxhimi i rrugëve migratore. Prandaj është shumë e rëndësishme që të jemi në gjendje të ecim përpara”, shtoi ai.
Propozimi i përbashkët përbën nismën e dytë të kancelarit gjerman Merz lidhur me politikën e zgjerimit, pasi në maj ai doli me propozimin për “zgjidhje kreative” për vendet e përfshira në procesin e anëtarësimit në BE.
Njëkohësisht, kjo është nisma e parë e përbashkët e Francës dhe Gjermanisë, dy prej shteteve më me ndikim në BE, kushtuar së ardhmes së procesit të zgjerimit.
Në Tivat, kancelari gjerman, Merz, vlerësoi se procesi i zgjerimit të BE-së po ecën shumë ngadalë dhe se nevojiten ide të reja për t’i nxitur më tej vendet e rajonit në zbatimin e reformave.
Ai paralajmëroi se edhe vetë BE-ja duhet të dëshmojë se është e aftë për zgjerim të mëtejshëm.
“Natyrisht, ka një sërë çështjesh të cilave duhet t’u japim përgjigje dhe për të cilat duhet të veprojmë së bashku. Por, gjithçka tregon se kjo pjesë e Evropës ka një perspektivë evropiane dhe i përket Bashkimit Evropian. Fakti që prej 13 vitesh nuk kemi pranuar asnjë anëtare të re tregon se mangësi ka pasur edhe në anën e Bashkimit Evropian. Pikërisht këtë duam ta tejkalojmë sot”, deklaroi kancelari gjerman para fillimit të samitit.
Merz bëri të ditur se para samitit kishte zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të vendeve të rajonit. Ai shprehu shpresën se pjesëmarrësit do të arrijnë një pajtim të përbashkët, në mënyrë që idetë e reja të mund të nisin më pas të zbatohen në Bruksel.
“Jam i inkurajuar nga bisedimet që zhvilluam këtë mëngjes. Megjithatë, përpara nesh mbetet ende një rrugë e gjatë. Por ky proces është i realizueshëm. Disa vende, e veçanërisht vendi mikpritës, Mali i Zi, tashmë kanë arritur në një nivel ku mund të sigurojmë rezultate të përbashkëta shumë shpejt. Shpresoj që kjo të ndodhë”, u shpreh Merz.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.
Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë shumë më përpara në këtë rrugëtim.
Ndërsa Kosova është akoma vendi i vetëm i rajonit që nuk e ka as statusin e vendit kandidat.
Çfarë përmban propozimi franko-gjerman?
Qasja e propozuar franko-gjermane bazohet në integrimin gradual të vendeve kandidate në politikat dhe institucionet evropiane, duke ruajtur parimin se përparimi varet nga rezultatet e reformave.
Sipas dokumentit, qëllimi i nismës është thjeshtimi i procesit të tanishëm të negociatave, zvogëlimi i pengesave procedurale dhe mundësimi i hapjes më të shpejtë të kapitujve negociues, kur për këtë ekzistojnë rekomandime nga Komisioni Evropian.
Autorët e dokumentit theksojnë se modeli i propozuar nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë dhe as zgjatje e procesit të anëtarësimit, por një përpjekje për të përshpejtuar reformat dhe për t’u mundësuar qytetarëve të vendeve kandidate të ndiejnë përfitime konkrete nga integrimi evropian edhe para pranimit formal në BE.
Sipas propozimit franko-gjerman, fokusi më i madh duhet të vihet te përmbajtja e reformave dhe më pak te hapat proceduralë.
Dokumenti propozon krijimin e një strategjie të posaçme paraanëtarësuese, e cila do t’u mundësonte vendeve kandidate përfitime më konkrete edhe para anëtarësimit të plotë.
Mekanizmat e paraparë do të lidheshin me përparimin në reforma, por do të mbeteshin të kthyeshëm në rast të kthimit prapa në fushën e sundimit të ligjit ose shmangies nga vlerat themelore të BE-së.
Komisionit Evropian i kërkohet të përgatisë propozime që do ta lehtësonin një integrim të tillë gradual.
Ndër propozimet konkrete është mundësimi i qasjes së privilegjuar në tregun e përbashkët të BE-së, si dhe përfshirja graduale e përfaqësuesve të vendeve kandidate në punën e institucioneve evropiane, përmes statusit të vëzhguesit në takime të caktuara.
Si niveli më i lartë i integrimit gradual përmendet pjesëmarrja e plotë në tregun e përbashkët, sipas modelit të një Hapësire të zgjeruar Ekonomike Evropiane, me kusht që vendi kandidat të miratojë dhe zbatojë legjislacionin evropian në fushat kyçe të negociatave dhe të mbyllë përkohësisht kapitujt përkatës negociues.
