IKD publikon raportin: Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit dhe Integrimet Evropiane në programet e partive politike

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Analizë e programeve të partive politike për zgjedhjet e parakohshme Qershor 2026 – Qeverisja e Mirë, Sundimi i Ligjit dhe Integrimet Evropiane”, i cili analizon programet zgjedhore të partive politike në fushat e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe integrimeve evropiane.

Gjatë konferencës për media, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, prezantoi gjetjet që lidhen me sundimin e ligjit dhe integrimet evropiane. Sipas tij, asnjëra nga partitë politike të analizuara nuk e trajton në mënyrë të plotë reformën në drejtësi, pavarësisht se të gjitha flasin për drejtësinë, efikasitetin institucional dhe luftimin e korrupsionit.

Jakaj theksoi se asnjëra parti nuk paraqet një plan gjithëpërfshirës reformues të ndërlidhur me proceset kryesore që kanë dominuar debatin publik gjatë viteve të fundit, përfshirë reformat në sistemin e drejtësisë dhe zbatimin e rekomandimeve të institucioneve relevante.

Sa i përket programeve individuale, raporti vlerëson se programi i Lëvizjes Vetëvendosje trajton më shumë tema nga fusha e sundimit të ligjit sesa partitë e tjera, por drejtësisë i kushtohet një hapësirë e kufizuar krahasuar me rëndësinë që kjo çështje ka pasur në diskursin politik gjatë viteve të fundit. Raporti po ashtu evidenton se çështja e vetingut përmendet në program, por pa sqaruar mënyrën e realizimit të tij.

Në lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, raporti konstaton se programi përmban masa për reformimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmirësimin e efikasitetit të sistemit dhe luftimin e korrupsionit, por nuk i ndërlidh këto masa me Strategjinë për Sundimin e Ligjit, rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe proceset reformuese që kanë dominuar debatin publik në vitet e fundit.

Ndërkaq, sipas raportit, programi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës paraqet trajtimin më të kufizuar të sundimit të ligjit, duke e adresuar drejtësinë kryesisht në funksion të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së investimeve, pa ofruar një vizion të plotë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Gjatë prezantimit të pjesës së raportit që trajton qeverisjen e mirë, hulumtuesi i IKD-së, Melos Kolshi, bëri të ditur se vlerësimi është realizuar mbi bazën e pesë indikatorëve kryesorë: barazia gjinore, transparenca dhe llogaridhënia në punën e Qeverisë dhe Kuvendit, depolitizimi i administratës publike, digjitalizimi dhe qeverisja elektronike, si dhe llogaridhënia institucionale.

Sipas Kolshit, gjetja kryesore e analizës është se asnjëra nga partitë politike të analizuara nuk ofron një qasje plotësisht gjithëpërfshirëse ndaj qeverisjes së mirë.

Raporti vlerëson se secila parti fokusohet në fusha të caktuara, por asnjë program nuk arrin të adresojë në mënyrë të balancuar të gjithë indikatorët e qeverisjes së mirë. Për pasojë, qeverisja e mirë vazhdon të trajtohet më shumë si një grup iniciativash sektoriale sesa si një paketë e integruar reformash.

Po ashtu, raporti evidenton dallime të konsiderueshme në prioritetet programore të partive politike, ku disa prej tyre i kushtojnë më shumë rëndësi digjitalizimit dhe transparencës, ndërsa të tjera fokusohen në administratën publike apo barazinë gjinore. Megjithatë, mungon një qasje e harmonizuar që do të siguronte avancim të njëkohshëm në të gjitha komponentët e qeverisjes së mirë.

Një nga gjetjet kryesore të raportit lidhet me transparencën dhe llogaridhënien, të cilat paraqiten si ndër komponentët më pak të adresuar në programet zgjedhore të partive politike. Sipas raportit, tri nga katër partitë e analizuara nuk kanë paraparë masa konkrete për rritjen e transparencës në punën e Qeverisë dhe Kuvendit.

Sipas Kolshit, programet politike përmbajnë një numër të konsiderueshëm zotimesh dhe objektivash të përgjithshme, por në shumicën e rasteve mungojnë elementet që do të mundësonin matjen e rezultateve dhe monitorimin e zbatimit të tyre në praktikë.

IKD vlerëson se transparenca dhe llogaridhënia përbëjnë bazën e një qeverisjeje të mirë dhe, për këtë arsye, programet politike duhet të përmbajnë masa më konkrete dhe më të detajuara për forcimin e tyre. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh sfidat e vazhdueshme me të cilat janë përballur institucionet publike në Kosovë në aspektin e transparencës, mbikëqyrjes dhe përgjegjshmërisë institucionale.

Go to TOP