Kuçi nga Mushtishti dhe Leshani: Kosovës i duhen institucione funksionale, zhvillim ekonomik dhe siguri energjetike
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Blerim Kuçi, me numër 47 në listën zgjedhore, ka zhvilluar takime me qytetarët në Mushtisht dhe Leshan, ku ka diskutuar për sfidat dhe prioritetet kryesore me të cilat përballet vendi.
Kuçi tha se Kosovës i nevojiten urgjentisht institucione funksionale që i shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave partiake duke theksuar se zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës duhet të jenë në qendër të politikave shtetërore.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Mushtisht, ai vuri theks të veçantë te çështja e energjisë elektrike duke e cilësuar rritjen e çmimeve të energjisë si barrë të rëndë për familjet dhe bizneset.
“Zgjidhja afatgjate është investimi në kapacitete të reja energjetike, përfshirë termocentrale moderne dhe shfrytëzimin e burimeve që i kemi, në mënyrë që Kosova të ketë siguri dhe stabilitet energjetik”, ka deklaruar Kuçi.
Sipas tij, vetëm përmes institucioneve të forta, një ekonomie të qëndrueshme dhe furnizimit të sigurt me energji mund të garantohet zhvillim i qëndrueshëm për vendin.
Ndërkaq, në takimin e mbajtur në Leshan, Kuçi diskutoi me qytetarët për zhvillimin ekonomik, energjinë, bujqësinë dhe krijimin e perspektivës për të rinjtë në Kosovë.
Ai theksoi se vendi ka potencial të madh zhvillimor dhe se, me politika dhe vendime të duhura, ky potencial mund të shndërrohet në mirëqenie për çdo familje.
Kuçi falënderoi banorët e Mushtishtit dhe Leshanit për mikpritjen, besimin dhe mbështetjen e treguar gjatë takimeve duke u shprehur i bindur se ndryshimi ndërtohet përmes përfshirjes aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse. /Kosova.info/
