Hoti: Anulimi i centralit me gaz amerikan ishte gabim strategjik, qytetarët po paguajnë pasojat
Kandidati i LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se anulimi i projektit për ndërtimin e centralit energjetik me gaz amerikan i ka shkaktuar Kosovës humbje të mëdha ekonomike dhe strategjike.
Përmes një reagimi publik, Hoti tha se projekti nuk ishte vetëm një investim në sektorin energjetik, por një element kyç për pavarësinë energjetike të vendit, sigurinë ekonomike dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, ndërsa vendet e rajonit kanë përfituar nga projektet energjetike amerikane, Kosova ka mbetur prapa për shkak të vendimeve të gabuara të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
“Qeveria e ardhshme duhet urgjentisht t’i kthehet këtij projekti dhe ta trajtojë atë si prioritet kombëtar”, ka theksuar Hoti duke shtuar se anulimi i tij po u kushton qytetarëve të Kosovës mijëra euro dhe po dëmton interesat strategjike të shtetit.
Ai ka theksuar se ka qenë ndër mbështetësit e projektit që në fillim duke e konsideruar sot gjithnjë e më të qartë se vendimi për anulimin e tij ishte një gabim i madh strategjik, pasojat e të cilit, sipas tij, po i bartin qytetarët e Kosovës.
Në fund, Hoti ka bërë thirrje që Kosova të mos refuzojë alternativa që e bëjnë më të pavarur energjetikisht, më të zhvilluar ekonomikisht dhe më të lidhur me botën perëndimore duke theksuar se koha për ta korrigjuar këtë gabim është më 7 qershor. /Kosova.info/
