QKUK: Asnjë material nuk është pranuar në stok me afat të skaduar

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton se lidhur me të gjeturën për produktet me afat të skaduar, sqarojmë se produktet e evidentuara nuk janë rezultat i furnizimeve apo blerjeve të realizuara me afat të skaduar nga ShSKUK.

“Asnjë material nuk është pranuar në stok me afat të skaduar në kuadër të procedurave të furnizimit të institucionit. Produktet e përmendura në raport përbëhen nga uniforma të siguruara për nevojat e personelit gjatë periudhës së pandemisë Covid-19. Këto furnizime janë realizuar për të garantuar mbrojtjen dhe gatishmërinë e stafit shëndetësor në kushtet e një situate emergjente dhe të paparashikueshme. Për shkak se një pjesë e këtyre artikujve nuk është përdorur, ato kanë mbetur në stok deri në arritjen e afatit të tyre të përdorimit, i cili ka qenë deri më 31.12.2025. Nga data 01.01.2026, këto produkte janë larguar automatikisht nga sistemi dhe nuk figurojnë më në stok. Prandaj, evidentimi i tyre në regjistrat e stokut nuk nënkupton se ShSKUK ka blerë apo pranuar produkte me afat të skaduar, por se një pjesë e rezervave të krijuara për nevoja emergjente nuk është shfrytëzuar dhe, si pasojë, ka arritur afatin e skadencë”, njofton QKUK.

ShSKUK vazhdon të zbatojë procedurat dhe kontrollet e nevojshme për monitorimin e afateve të përdorimit dhe trajtimin e produkteve të skaduara në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Kosova.info/

Go to TOP