Lladrovci në Drenas kujton vitet e rezistencës me familjen Thaçi: Liri a vdekje ishte betimi ynë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ndarë një rrëfim emocional nga një takim në Drenas, ku bashkë me miq e bashkëluftëtarë ka rikujtuar vitet e rezistencës dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.

Në një atmosferë të ngrohtë, mes kafes dhe bisedave me Idrizin, Nazin dhe të tjerë, Lladrovci theksoi lidhjen e hershme me familjen e Hashim Thaçi duke kujtuar se njihen prej dekadash, që nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90.

“Hashimi, si më i riu në familje, ka qenë i privilegjuar, por jo i përkëdhelur. Ishin kohë të vështira, kur na bashkonte ideali: liri a vdekje,” u shpreh Lladrovci.

Ai rikujtoi se brezi i tyre nuk kursente asgjë për idealin e lirisë duke mos i vënë shpesh familjarët në dijeni për aktivitetet ilegale, për shkak të rrezikut të përndjekjes dhe burgosjes. Sipas tij, lidhjet mes familjeve të bashkëluftëtarëve ishin të forta, pasi ndanin të njëjtin fat dhe sakrificë.

Lladrovci përmendi edhe familjet e figurave të njohura të luftës, si ato të Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi duke theksuar se ato konsideroheshin si familje të përbashkëta në atë kohë.

Ai shtoi se nga ajo periudhë kanë ndodhur shumë ndryshime, por kujtimet e robërisë dhe luftës mbeten të gjalla. “Bashkë me aleatët e larguam okupatorin, por çmimi i lirisë ishte tepër i madh,” deklaroi ai.

Në fund, Lladrovci e cilësoi takimin si emocional dhe të veçantë duke theksuar se bisedat u përqendruan edhe te gjendja shëndetësore e bashkëluftëtarëve dhe figura të rëndësishme të luftës dhe paqes.

“I presim faqebardhë. Liria e Kosovës nuk është e plotë pa bijtë e saj më të devotshëm,” përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP