Sherifi: Të pezullohet projekti për dezinsektim kundër Etheve Hemorragjike Krime-Kongo, rrezikon mjedisin dhe s’ka bazë shkencore
Prof. Dr. Kurtesh Sherifi, ligjërues në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, ka reaguar publikisht duke kërkuar pezullimin dhe rishikimin e projektit për dezinsektim hapësinor kundër Ethet Hemorragjike Krime-Kongo.
Sipas tij, ndërhyrja e planifikuar nuk mbështetet në dëshmi të mjaftueshme shkencore dhe mund të ketë pasoja të rënda për mjedisin. Ai thekson se rriqra Hyalomma marginatum, që është bartësja dhe rezervuari kryesor i virusit, jeton kryesisht në tokë dhe te kafshët duke e bërë të paefektshme spërkatjen masive të sipërfaqeve të mëdha me insekticide.
“Spërkatja e mijëra hektarëve nuk është provuar shkencërisht se ul në mënyrë efektive këtë lloj rriqre në natyrë”, ka theksuar Sherifi duke shtuar se përdorimi i gjerë i insekticideve mund të dëmtojë biodiversitetin, përfshirë bletët dhe insektet e dobishme.
Ai ka ngritur shqetësim edhe për koston e projektit, që arrin afro 1 milion euro duke kërkuar transparencë të plotë, vlerësim të pavarur shkencor dhe vendosjen e indikatorëve të matshëm të suksesit.
Në vend të kësaj qasjeje, profesori propozon masa më efektive dhe të bazuara në shkencë, si: monitorimi i rriqrave dhe identifikimi i zonave me rrezik, trajtimi i kafshëve përmes programeve të repelimit, edukimi i qytetarëve për parandalimin e pickimeve, si dhe ndërgjegjësimi i fermerëve që rriqrat të mos largohen me dorë nga kafshët.
Ai gjithashtu thekson rëndësinë e forcimit të qasjes “Një Shëndet”, që përfshin bashkëpunimin ndërmjet sektorit human, veterinar dhe atij mjedisor.
“Shëndeti publik duhet të mbrohet me masa të bazuara në shkencë, jo me projekte pa bazë profesionale që mund të sjellin më shumë dëm sesa përfitim”, përfundon reagimi i Sherifit. /Kosova.info/
