“Premtime të mëdha, pa plan ekonomik”: Agim Shahini kritikon programet e partive në prag zgjedhjesh

Në prag të një tjetër procesi zgjedhor në Kosovë, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka ngritur shqetësimin për mungesën e vizionit ekonomik në programet e partive politike.

Sipas tij, skena politike po përsërit të njëjtat premtime të vjetra, pa ofruar plane konkrete për zhvillimin ekonomik, rritjen e prodhimit, eksportit dhe punësimit. Shahini thekson se qytetarëve po u premtohen shuma milionëshe e miliardëshe, pa u sqaruar burimi i financimit apo mënyra e realizimit të tyre.

Ai e cilëson këtë si një “garë premtimesh pa mbulesë”, ku ekonomia reale dhe sektori privat mbesin jashtë fokusit të debatit politik. Sipas Shahinit, mungon një strategji e qartë për industrinë, eksportet, si dhe për ndaljen e largimit të fuqisë punëtore dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

“Pas më shumë se 26 vitesh liri dhe mbi 18 vite shtet, është e papranueshme që Kosova ende të mos ketë një projekt të mirëfilltë kombëtar ekonomik”, ka deklaruar ai.

Në fund, Shahini u bën thirrje qytetarëve që të kërkojnë llogari nga kandidatët duke i pyetur për planet konkrete: çfarë do të prodhojnë, çfarë do të eksportojnë, sa vende pune do të hapin dhe si do ta bëjnë Kosovën më konkurruese në arenën ndërkombëtare.

Ai përmbylli duke theksuar se Kosova ka nevojë për lidership që realizon më shumë dhe premton më pak duke vënë në qendër zhvillimin ekonomik real dhe jo retorikën politike.

Go to TOP